Sot Policia e Kosovës (1 korrik), do të mbajë konferencë për media në pikën kufitare në Vërmicë, shkruan Kosova Post.
Konferenca do t’i paraprijë fillimit të bashkëpunimit të posaçëm ndërmjet forcave policore shqiptare nga Kosova e Shqipëria, gjatë periudhës së sezonit turistik.
Ky është njoftimi i plotë i policisë:
Referuar bashkëpunimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës me Policinë e Shtetit të Republikës së Shqipërisë, bazuar edhe në memorandumin e bashkëpunimit të firmosur nga autoritetet policore, respektivisht nga dy drejtorët e policive të të dyja shteteve tona, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror.
Ju informojmë se:
Turni i parë i zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, gjegjësisht të Njësive Rajonale të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) dhe Njësisë për Kontroll të Autostradave (NJKA), do të udhëtojnë për në Republikën e Shqipërisë, sot, më 01.07.2021.
Konferenca për media do të mbahet në ora 10:00, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Pastaj, së bashku me autoritetet e Policisë së Shtetit Shqiptar zyrtarët policor do të vazhdojnë për në Republikën e Shqipërisë, për detyrën konkrete sipas memorandumit për bashkëpunim./KosovaPost/