Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë lidhur me vatrat e zjarrit që janë përhapur në shumë vende të Kosovës, përcjell Kosova Post.
Policia bën me dije se ata që kanë shkaktuar zjarret, qëllimshëm apo me neglizhencë, do të ndiqen nga organet e drejtësisë.
Kjo është komunikata e plotë:
Referuar situatës në të cilën ndodhemi lidhur me përhapjen e disa zjarreve nëpër lokalitete të ndryshme të vendit tonë, Policia e Kosovës me kapacitetet e saj në dispozicion po angazhohet me përkushtim në parandalimin dhe shuarjen e zjarreve duke ofruar asistencë me pajisje policore si topat e ujit si dhe duke koordinuar aktivitetet me agjencionet tjera në të gjitha rajonet ku janë raportuar vatra zjarri.
Policia e Kosovës është angazhuar në mënyrë intensive në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat/individët që dyshohen se kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo si pasojë e neglizhencës së tyre, do të përballen me organet e drejtësisë.