Policia në Gjermani po heton sulmin e leopardit ndaj një modeleje e cila pësoi lëndime të rënda gjatë një fotosesioni, transmetonKosova Post.
Hetimet janë përqendruar tek pronarja 48-vjeçare e leopardit të përfshirë në sulm, një nga dy leopardët që ajo mban së bashku me kafshët e tjera në një kompleks në qytetin Nebra në Gjermaninë lindore, njoftoi sot agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Modelja 36-vjeçare pësoi plagë në kokë gjatë sulmit të së martës dhe u dërgua me helikopter në një klinikë të specializuar.
Pronarja e kafshës është duke u hetuar nën dyshimet për lëndime trupore nga pakujdesia, sipas DPA.
Një zyrtar i shëndetit publik vizitoi kompleksin të mërkurën për të kontrolluar nëse kafshët ishin mbajtur në mënyrë adekuate dhe nëse objekti plotësonte standardet rregullatore.
Pronarja e kafshëve ka në pronësi leopardët që nga viti 2019 dhe ka punuar për 20 vjet si trajnere e kafshëve për cirqet dhe parqet argëtuese.
Emri i saj dhe i viktimës nuk u publikuan në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë.aa