Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për aksionin në një objekt në Zveçan ku kanë hasur në dhjetra thasë rëre.
Sipas zëvendësdrejtorit për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani këta thasë të gjetur në një objekt të Zveçan, janë shfrytëzuar nga grupe terroriste serbe në kohën e barrikadave.
Elshani tregon se pjesëtaret e organizatave terroriste si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut kanë qenë të armatosur rëndë dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës.
“Policia e Kosovës ka pranuar informacione se në një objekt publik në komunën e Zveçanit, ka disa gjëra materiale të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave. Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë policia ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetra thasë të mbushur me rëre që kanë qenë si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan. Ky objekt publik është shfrytëzuar nga pjesëtaret e organizatave terroriste si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut. Kjo është edhe një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosur rëndë dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, ka thënë ai.