Policia e Kanadasë është zotuar se do të arrestojë dhe do të vendosë gjoba kundrejt kamionistëve, të cilët kanë bllokuar urën kryesore që lidh vendin me SHBA-të, megjithëse protesta po bëhet edhe më aktive në kryeqytet dhe qytete të tjera, përcjell KosovaPost.
Policia kanadeze u angazhua për të pastruar urën që lidh vendin me SHBA-të, e cila prej disa ditësh është e bllokuar nga kamionët të cilat janë vendosur në shenjë proteste kundër vaksinimit me detyrim.
Turmat e protestuesve që bllokuan rrugët e kryeqytetit për të tretën fundjavë radhazi morën një dimension të gjerë edhe në Francë, Holandë, Australi e Zelandë të Re.
Gjykata Supreme e Ontarios urdhëroi kamionistët që t’i jepnin fund bllokimit të urës e cila është një pikë strategjike mes dy vendeve ku kalon 25% e mallrave.
Policia kanadeze paralajmëroi arrestime, gjoba të majme dhe humbje të patentës për demonstruesit që kanë bllokuar Urën Ambasador.
Ndërkohë në Otava vijon mbështetja qytetare për kamionistët.
Protestuesit janë të vendosur për të qëndruar deri në heqjen e vaksinimit me detyrim.
“Hiqni urdhrin për vaksinimin me detyrim. Jam duke luftuar për liri… Nuk kam fëmijë, por kam shumë njerëz që janë pjesë e zemrës sime dhe thjesht dua që ata të jenë të lirë, gjithashtu edhe fëmijët apo nipërit e tyre. Është liri e zgjedhjes, unë jam e vaksinuar por puna është se ishte zgjedhja ime. Dhe nëse dikush vendos për të mos u vaksinuar, nuk është problemi im. Është liria e tij për të zgjedhur”.
Një demonstrues shkroi një mesazh falenderimi për kamionistët në një kamion.
“Unë shkrova, faleminderit kamionistë për mbështetjen tuaj e cila është e vështirë për ta aktualisht sepse që kur ata lanë shtëpitë e tyre janë duke humbur kamionët. Ata po marrin një risk të madh. Bota po i mbështet, atëherë Zoti i bekoftë! Ata po e bëjnë këtë për fëmijët e tyre. Ata po e bëjnë këtë për lirinë e zgjedhjes. Ata nuk janë kundër vaksinimit, por kundër detyrimit”.
Kryeministri i vendit, Xhastin Trudo, i ka kritikuar ashpër kamionistët dhe është zotuar se protesta e tyre do të përfundojë, por duket se në javën e tretë të saj, manifestimet janë tepër të konsoliduara.