‘Politika’ e faksionit të Vetëvendosjes

‘Politika’ e faksionit të Vetëvendosjes

Shkruan: Hysamedin Feraj

Fillimisht një dallim terminologjik: për dallimet brenda një partie politike termi “fraksion”  (frakturë, çarje, krisje) përdoret kur “çarja” shtrihet vertikalisht, përgjatë gjithë organizatës; në kontrast me të, termi “faksion” përdoret kur çarja ndodh në strukturën e lartë, por nuk shtrihet vertikalisht. Duket se brenda VV nuk ka fraksion, por faksion.

Deri tani, i vetmi që jep mundësi për kuptimin e qëndrimeve të këtij faksioni është Dardan Molliqaj. Shkurt e qartë, ai deklaroi se problemi nuk është personal por politik-ideologjik. Për rrjedhojë, mendimi i faksionit mund kuptohet nga mendimi i Dardanit:

Albini do që Lëvizja të rikthehet te rrënjët saj: (1) në mënyrën e punës; (2) në metodën e punës; (3) tek njerëzit, themeluesit e saj.

Dardani (faksionisti) do që Lëvizjen ta shkëpusë dhe shkulë nga rrënjët e saj; nga sa më sipër, kupton ta shkëpusë: (1) nga mënyra e punës; (2) nga metoda e punës; (3) nga njerëzit, themeluesit e Lëvizjes.

“Çka kom pa nga z. Kurti në këtë periudhë është një fundamentalizëm politik, një kthim te rrënjët e VV, te rrënjët edhe në mënyrën e metodën e punës por kthim edhe tek njerëzit, tek themeluesit…”. (të gjithë citimet e D. Molliqajt janë marrë nga parashtrimet në Zona e Debatit, 14.12.2017)

Motivi i Kurtit, gjithnjë sipas Molliqajt, është se rikthimi te rrënjët i jep më shumë siguri Lëvizjes Vetëvendosje! Motivi i vetë Molliqajt, po sipas tij (dhe ndoshta i faksionit), është se situatat kanë ndryshuar dhe, prandaj, rikthimi te rrënjët përbën regres.

Le të reflektojmë për rrënjët e Vetëvendosjes:

Rrënjët e Lëvizjes Vetëvendosje! janë filozofike, konceptuale, prej nga janë ushqyer e zhvilluar degët e deri te frytet (metodat e veprimit, mënyrat e të menduarit dhe të sjelljes, rritja e pjesëmarrësve, fitoret në zgjedhje, etj.).

Rrënja filozofike e LVV është ideja e njeriut si qenie e lirë.

Ndaj si Lëvizje ne flasim për komunitet të njerëzve të lirë. Vetëm një komunitet i njerëzve të lirë ndërhyn në situatë dhe e sjellë risinë sipas masës së vetë: lirisë. Liria ngrihet kundër ndjekjes së situatës, përshtatjes ndaj situatës dhe ndryshimit të vetes sipas situatës, kundër njeriut të determinuar. Në situatën kur kërkoheshin bisedime pa parime të Kosovës me Serbinë, në situatën kur mendohej se ne jemi tjetri – gjithçka thotë tjetri – dhe projektin e të cilit duhet ta zbatojmë, ndërhyri Lëvizja dhe e tha atë që i përket, por që mund ta thotë vetëm qenia e lirë shqiptare: Jo negociata. Vetëvendosje!  Prej këtej krijoi një situatë të re: hapi shikimin e mundësisë me qenë vetja dhe me veten – fushën e mundësive të njeriut të lirë.

Liria është lëvizje, lëvizja është aktivitet, aktualitet, domethënë veprim mbi dhe kundër realiteteve që e kufizojnë veprimin e njerëzve të zhytur, të kapur në përditshmëri. Prej këtej, rrënja e Lëvizja e implikon aktivistin, dhe aktivisti është rrënjësor për të, si aktualiteti i Lëvizjes. Vetëvendosje kundër vetë kapje. Liria kundër korruptimit.

Sakaq, Lëvizja e ka të implikuar rolin në shoqëri: emancipimin shoqëror – si fjala tjetër për lirinë. Lëvizja është ecja që e përshkon shoqërinë me liri duke i mundësuar secilit të bëhet qytetar: njeriu i çliruar nga mbërthimi prej përditshmërive i krijon vetes kohën e lirë me u marrë me të mirën e qytetit (të mirën e përgjithshme). Prandaj,rrënja e Lëvizjes Vetëvendosje aq sa e implikon, po aq e bën rrënjësor qytetarin,dhe qytetarinë aktive.

Kthimi i Albinit të rrënjët kupton kthimin te filozofia e lirisë, mospërshtatja ndaj situatave të pa-liri, kthimin tek aktivisti, te qytetari aktiv, etj. Këto janë edhe idetë themelore të programit të Lëvizjes Vetëvendosje!

Për Dardanin kthimi te rrënjët përbën regres! Dardani (dhe ndoshta faksionistët) propozon të kundërtën si alternativë: ikjen nga idetë(filozofia) rrënjësore të Lëvizjes Vetëvendosje! Filozofia që ofron Dardani është përshtatja ndaj rrethanave (gjendjes së gjërave): “Nuk mund të jetë e njëjta VV kur ndërrojnë rrethanat”. Çfarë ka ndryshuar?

Situata që ka ndryshuar është forcimi i përfaqësimit të LVV në institucionet dhe strukturat pushtetore.

Prej këtej,

Lëvizja Vetëvendosje duhet të përshtatet me veprimin brenda mundësive që hapin proceduart formale të institucioneve. Ja një shembull i përshtatjes që kërkon Molliqaj:“Nëse në 2015, 2016 është dashtë me hedh gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për me ndal ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin, sot nuk kemi nevojë për Demarkacion, sot nuk ka shumicë 2/3 që e votojnë Demarkacionin. Pse me qitë sot gaz? Për këtë arsye nuk vjen Demarkacioni në votim. Nuk e them kurrë nuk duhet me e ba por jo me ba gjithë pse kemi ba një herë”.

Kjo sjellje ka qenë pritshmëria e madhe dhe kërkesa ndaj Vetëvendosjes, prej të gjithëve jashtë saj, që kur LVV vendosi të marrë pjesë në zgjedhje dhe arriti të futet në Parlament: “normalizimi” i saj! Po aq i madh ka qenë zhgënjim i tyre përsa LVV nuk u “normalizua”. Edhe atëherë, si tani, pritshmëria dhe kërkesa legjitimohej me rrethanat: imazhi i dobët i Kosovës në botë dhe nevoja e forcimit të tij, institucionet e dobët në Kosovë dhe nevoja e respektimit dhe e forcimit të tyre, etj.

Filozofia e përshtatjes ndaj rrethanave është e kundërta antipodike e filozofisë së lirisë, asaj që i bën rrethanat. Në filozofinë e përshtatjes liria e ndjen veten të rrethuar, brenda rrethit të caqeve qëia thonë pamundësitë dhe që duan ta bindin se dalja jashtë tyre është budallëku, aventurizmi dhe kotësia e lirisë. Frikacaku e do demokracinë dhe normalizimin për t’i thënë guximtarit dhe partizanit të lirisë se lufta e këtij është aventurizëm.

Një tjetër shembull i përshtatjes që kërkon Molliqaj:Lëvizja Vetëvendosje duhet të kthehet në parti politike votuesi dhe përfaqësimi, përkundër lëvizje emancipuese: “Dallimi (me Albinin – H.F.) është çfarë lloj organizatë po dojmë…”. përkundër Albinit, sipas Dardanit:“duhet me ec tutje nga një organizatë pararojë, avantgardë në një parti politike”.

Domethënia e këtij transformimi është thënë qartë: Lëvizja nuk duhet më me qenë pararojë – roje e vlerave që i përkasin esencialisht por që i mohohen vazhdimisht popullit shqiptar, dhe as në radhët e para të rezistencës për mposhtjen e antivlerave – siç ka qenë deri tani. Për këtë Molliqaj nuk ofron asnjë arsyetim: nëse të qenit lëvizje pararojë në një shoqëri është diçka vetiu e keqe; apo nëse është e mundur të ekzistojnë shoqëri që nuk kanë nevojë për asnjë pararojë, dhe shoqëria shqiptare është një prej tyre; nëse rolin pararojë duhet ta marrë ndonjë lëvizje tjetër dhe pse, etj.

Për rrjedhojë, si parti politike dhe përfaqësimi, Lëvizja nuk e ka të nevojshëm aktivistin, veçse gjatë fushatave elektorale për të përforcuar përfaqësimin; nuk e ka të nevojshëm qytetarin dhe qytetarinë aktive, veçse gjatë votimit të përfaqësuesve. Të dy bëhen të panevojshëm sepse: “tash jemi faktor përcaktues në skenën politike”, sepse, për shembull, në parlament, askush “nuk ka shumicë 2/3 që e votojnë Demarkacionin”. Prandaj”pse me qitë sot gaz”, etj.

Veç përfaqësuesit, vendin e aktivistit dhe qytetarit aktiv duhet ta zërë teknicieni: “unë besoj te strukturat e partisë nga njerëz që kanë dije, përvojë, gatishmëri për atë punë dhe ata me e ndërtua strukturën”.Molliqaj nuk dallon dijen politike nga ajo teknike. Ai nuk do dijen që i implikon veprimin e gjerë të njerëzve. Në të kundërtën, “Kurti beson si pikënisje gjerësinë, njëherë skanimi i fshatit, lagjes, e pastaj strukturat”. Dallimi vërtet është i qartë dhe themelor: “Kurti do gjerësinë” ndërsa Dardani (ndoshta faksionistët) do “njerëz që kanë dije…”, sektin e teknicienëve. Me fjalë të tjera, Kurti nuk përjashton dijen, por vlerëson edhe gjerësinë e përfshirjes në Lëvizje të njerëzve që kanë dije po aq sa të atyre që veç e intuitojnë lirinë dhe udhëzimet për veprim që jep ajo, dhe që normalisht kudo e kurdo përbën shumicën e qytetarëve. Padyshim, kjo është shpesh padituria e madhe e njerëzve “të ditur”. Akuza e LDK se LVV nuk ka specialistë, etj., ka qenë ndër dështimet e “specialistëve” të vetë LDK-së sa dhe mbështetja e saj “te specialistët” që kishte.

Së këtejmi rrjedh “dallimi për metodën” dhe “mënyrat e veprimit” të VV, i theksuar me qejf që nga Aida Derguti deri te Visar Ymeri. Ideja është të mos përdoren, si deri tani, metodat e aktivistit, qytetarisë aktive, demokracisë së drejtpërdrejtë, “gazi”, protestat masive qytetare, etj., por punët t’iu lihen përfaqësuesve, teknicienëve, pajtimit mes krerëve, marrëveshjeve në tryeza të ngushta, etj.

Pra, çka na duken si kundërthënie të tyre janë krejt konsistente me të pafilozofuarën e tyre: vetvetiu demokracia e tyre është pa demos, marrëveshjet dhe kompromiset mes vetë “krerëve” të VV pa aktivistët dhe strukturat më të gjera të LVV-së, organizata sipas tyre është pa Këshill të Përgjithshëm, zgjedhja e kryetarit pa pjesëmarrjen e anëtarësisë, etj., etj. Po kaq konsistente me filozofinë e tyre janë shpifjet për qëndrimin ndaj bashkimit kombëtar, ndaj fesë, ndaj koalicioneve me partitë e tjera politike, etj. Prandaj nuk po i analizojmë këtu sepse janë të bazuar vetëm në shpresën e tyre për instrumentalizmin e mundshëm të emocioneve (appeal të emotions), dhe si të tillë nuk përbëjnë argument por vetëm shembulltë gabimit logjik (karakteristike për Visar Ymerin: pa asnjë mendim).

Prandaj, të vetmit që mbeten absurdë janë ata që kërkojnë pajtimin mes faksionistëve dhe albinistëve: ata duhet të na tregojnë se si mund të pajtojnë brenda vetes filozofinë e lirisë (albinizmin) me filozofinë e determinizmit (dardanizmit, visarizmit), bashkë me gjithë implikimet e atyre filozofive.

You may also like

Trump: ‘Marreveshjet me Saudine na mbajne me mijera vende pune’

Presidenti Trump ka reagur per rastin Khashikci dhe