Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, deklaroi sot se pret që në vazhdimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të ketë një marrëveshje për kërkimin e personave të zhdukur nga të dy palët.
Janjiq i tha TV Prva-s se kjo “mund të shihet nga përgatitja” e takimeve, si dhe se ai pret që pas takimit të sotëm “do të ketë hapje të reja të varreve” në Serbi dhe Kosovë, transmeton Gazeta Express.Ai tha se priste që të arrihej një “hap i vogël” në fillimin e punës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti do të takohet sot për herë të dytë me Vuçiqin. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, rifilloi.
Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy krerët e dy shteteve u pajtuan që t’i vazhdojnë takimet.
Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe në hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.