“Sekretari Austin përcolli mesazhin se SHBA-ja do t‘i qëndrojë solide nenit 5 të Traktatit të NATO-s”, thuhet në deklaratën Pentagonit
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u përcolli ministrave të mbrojtjes të NATO-s mesazhin se presidenti amerikan, Joe Biden, dëshiron të rigjallërojë marrëdhëniet mes vendit të tij dhe NATO-s, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Pentagoni, njoftohet se Austin mori pjesë për herë të parë në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s i cili këtë vit u zhvillua në mjedis virtual për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), ku ai shpjegoi përparësitë e administratës amerikane.
“Sekretari Austin, ka për qëllim të rigjallërojë marrëdhëniet që SHBA-ja ka me NATO-n dhe përcolli mesazhin se SHBA-ja do t‘i qëndrojë solide nenit 5 të Traktatit të NATO-s”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë theksohet se Austin ka folur në dy seanca ku u diskutuan shumë çështje, kryesisht përgjegjësitë e mbrojtjes dhe marrëdhëniet NATO-Europë dhe se sekretari Austin ka shprehur mbështetjen e tij që aleanca të marrë një qasje globale dhe të forcohet ushtarakisht dhe politikisht.
Ndër të tjera në deklaratë thuhet se “Sekretari ka mirëpritur vetëdijen e aleatëve të NATO-s për ndikimin në rritje të Kinës dhe sfidat që paraqesin politikat ndërkombëtare për sigurinë e rajonit Trans-Atlantik”.
Austin ka vënë theksin në blerjen e hershme të teknologjive të reja nga vendet e NATO-s dhe ka tërhequr vëmendjen në rëndësinë e mbrojtjes së zinxhirit të furnizimit, infrastrukturës dhe të teknologjive.