Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, më 30 shtator.
Në mbledhjen që ka mbajtur KE i FFK-së, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, është diskutuar për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës, transmeton kk.
KE-ja analizoi rrjedhën e garave, duke konstatuar se deri më tash pati një rrjedhë të mirë të garave, por gjithsesi KE-ja kërkon nga komisionet dhe nga gjyqtarët që të jenë në nivel të detyrave.
KE-ja analizoi edhe paraqitjen e skuadrave tona në garat evropiane, e cila u vlerësua që ishte një paraqitje e mirë e veçmas nga kampioni në fuqi, FC “Ballkani”, që ka arritur të jetë pjesë e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës dhe të ketë paraqitje dinjitoze. Kjo ka bërë që imazhi i futbollit të Kosovës të rritet.
Për vizitën e të parit të FIFA-s, KE i FFK-së do të marrë të gjitha masat dhe përgatitjet e duhura për pritjen sa më të mirë të presidentit Infantino, aq më parë që kjo vizitë bëhet në prag të fillimit të Kampionatit Botëror “Katari 2022”.
KE-ja shqyrtoi edhe përgatitjet për ndeshjet e kombëtareve dhe u vlerësua se ato po shkojnë sipas dinamikës dhe planprogramit të paraparë.