Sipas Telegraf.rs, Presidenti Aleksandër Vuçiq ia ka vënë në dukje Kancelares Angela Merkel faktin se, Serbia mbetet një partner konstruktiv i Procesit të Berlinit, shkruan Kosova Post.
Sipas mediumit serb, Vuçiq bisedoi me telefon me Kancelaren Merkel, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 5 korrik.
Ai e ka falënderuar kancelaren për fillimin e Procesit të Berlinit, përkatësisht për kontributin rreth krijimit të atmosferës tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim.
Ai citohet ta ketë përsëritur mbështetjen e tij të fortë për nismën, sepse “politika e bashkëpunimit në rajon është në krye të përparësive të politikës së jashtme të Serbisë”.
Vuçiq përveç që ia ka vënë në dukje faktin se Serbia është një partner konstruktiv i ‘Procesit të Berlinit’, dhe se, si e tillë, ia ka bërë me dije se vendi që ai e drejton, dëshiron të kontribuojë në suksesin e samitit të ardhshëm, si dhe të përmirësojë jetën e përditshme të të gjithëve në rajon. Në këtë drejtim, ai është shprehur i kënaqur me heqjen e roamingut në Ballkanin Perëndimor, i cili do të hyjë në fuqi nga nesër, si një lehtësim i rëndësishëm për qytetarët dhe ekonomitë. Ai gjithashtu shprehu shpresën se projekti i autostradës Nish-Prishtinë do të realizohej, i cili do të kontribuonte në krijimin e kushteve, mbi të gjitha, të bashkëpunimit ekonomik midis serbëve dhe shqiptarëve.
Mediumi serb thotë se presidenti serb e informoi Kancelaren Merkel edhe për marrëveshjet brenda iniciativës së përbashkët për bashkëpunim midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, të njohur si Mini Shengen, duke deklaruar se ajo ka të bëjë me Procesin e Berlinit dhe idenë e një Tregu të Përbashkët Rajonal, që është i hapur për pjesëmarrësit e tjerë nga rajoni të cilët do ta njohin rëndësinë e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, raporton Kosova Post.
Vuçiq në këtë telefonatë, nuk ka mundur t’i shmanget temës së raporteve Kosovë – Serbi. Telegraf.rs citon atë t’i ketë thënë Merkelit se vetëm me dialog mund të përmirësohen raportet.
Në fund ai ia ka bërë të ditur kancelares se numri i të punësuarve në Serbi, në kuadër të ndërmarrjeve gjermane, e tejkalon numrin 70,000./KosovaPost/