Xhudistet nga Kosova Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë dekoruar të hënën me dekoratën “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Këtë e ka bërë të ditur Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta përmes një postimi në Facebook, duke i cilësuar si promovuese të vlerave të kombit, kryeshqiponja.
Meta ka thënë se kampionet Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre fantastik, Driton Kuka personifikojnë më së miri ëndrrat, suksesin dhe krenarinë e popullit dhe të shtetit të Kosovës.
“Me “Medaljet e Arta” të fituara me meritë në Lojrat Olimpike “Tokyo 2020”, të tre këta sportistë janë sot ambasadorët dhe promovuesit më të shkëlqyer të vlerave dhe kontributeve, që Kosova mund të japë edhe në nivel botëror, përmes sportit”, ka shkruar Meta në Facebook.
“Me mirënjohje të thellë për këtë kontribut të vyer shumëdimensional, kisha sot privilegjin e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” tre kryeshqiponjat e sportit shqiptar, kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka, si një inkurajim edhe për të gjithë sportistët e tjerë, të cilët duhet t’i konsiderojnë sukseset e tyre edhe si një mundësi të madhe të promovimit të vlerave të sportit, të kulturës dhe të trashëgimisë sonë kombëtare”, është shprehur Meta.
“Faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve dhe gjithsecilit që mendon, punon dhe ndihmon në sukseset dhe promovimin e Kosovës dhe të vlerave të mbarë kombit shqiptar!”, ka vazhduar presidenti shqiptar.