Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit në kuadër të Samitit Brdo-Brijuni në Slloveni, e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, transmeton Kosova Post.
Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës (ZPRK), në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit”, njofton ZPRK.
Më tej, thuhet se presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO.
Presidentja Osmani dhe presidenti Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet.
Në vazhdën e takimeve në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit Brdo-Brijuni, presidentja Osmani para takimit me presidentin Pendarovski është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me të cilin është diskutuar bashkëpunimi bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.
Samiti i Brdo-Brijunit organizohet që nga viti 2013, me iniciativën e Sllovenisë dhe Kroacisë. Ky samit ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, duke përçuar mesazhin politik lidhur me aspiratën e përbashkët e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE).(AA)