Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci kanë organizuar sot diskutimin me temën “Të drejtat pronësore dhe dhuna në familje”, përcjell Kosova Post.
Në këtë diskutim mori pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila tha se të diskutosh për të drejtën pronësore në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë parakushtet themelore për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë ndihen edhe të sigurta, por edhe të fuqizuara.
Ajo deklaroi se barazia është e pamundur pa fuqizimin ekonomik e pa respektim të të drejtave pronësore.
“Prona përbën një instrument të fuqizimit dhe stabilitetit ekonomik mbi të gjitha. Gratë dhe vajzat siç kemi dëgjuar padyshim janë shtyllë e fuqishme e shoqërisë tonë, pjesëmarrja e barabartë e tyre në çdo proces krahas burrave kontribuon jo vetëm ne të mirën e familjes, por edhe të gjithë shoqërisë dhe ekonomisë sonë në përgjithësi. Ky kontribut ngërthen në vete edhe trashëgiminë edhe të drejtën pronësore, e cila pa dyshim është mbrojtje dhe garanci për mirëqeni, për pavarësi dhe integritete dinjitet”.
“Prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave dhe vajzave kundruall padrejtësive dhe pabarazive. Si rezultat i prezencës së mëtejme të qasjes patriarkale e diskriminuese në raport me të drejtën pronësore gjendja aktuale për sa i përket trashëgimisë vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Një përqindje shumë e vogël e pasurisë nga prindërit trashëgohet nga vajzat, ndërkaq një përqindje po ashtu shumë e vogël është sa i përket grave janë pronare të pronave”.
Osmani tha se të dhënat për zotërimin e pronës nga vajzat dhe gratë janë në nivel tejet të ulët, e që tha se edhe kjo është shqetësuese.
Pavarësisht ligjeve dhe Kushtetutës që e ndalon në mënyrë të qartë diskriminim, Osmani u shpreh se kodi zakonor është shumë relevant në shumë pjesë të shoqërisë.