Prezantohet raporti mbi gjendjen e mjedisit në Kosovë

Prezantohet raporti mbi gjendjen e mjedisit në Kosovë

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e parë të sesionit pranveror ku shqyrtoi gjendjen e mjedisit ku i ftuar ishte kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina.

Komisioni, në krye me kryetarin e komisionit Daut Haradinaj miratoi raportin vjetor të punës për vitin 2017 si dhe Planin e Punës për Vitin 2018. Në rend dite u shqyrtua Raporti për gjendjen e mjedisit për vitin 2016, të cilin e prezantoi kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina.

Ai tha se ky raport miratohet çdo vit nga parlamenti dhe publikohet edhe në agjencinë e mjedisit të Bashkimit Evropian (BE) në Kopenhagë. Morina theksoi se monitorimi i mjedisit duke u bazuar në kërkesat ligjore shfaq ndryshimet në gjendjën e mjedisit, ndikimet në shëndetin e popullatës, zbatimin e strategjisë mjedisore, masat të cilat duhet të ndërmerren dhe financimin e sistemit të mbrojtjes së mjedisit.

Sipas tij, raporti për vitin 2017 i cili është vonuar për shkak të rrethanave dhe zgjedhjeve vazhdon të shqyrtohet ende nga kjo agjenci. “Gjatë hartimit të raportit të dhënat janë grumbulluar nga monitorimi nga të gjithë operatorët ekonomik, industrial dhe kompani të ndryshme”, tha Morina duke shtuar se këta operatorë siç janë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) apo Ferronikeli janë të obliguara me ligj të bëjnë vetë monitorimin e tyre, pra të sektorëve të tyre dhe të raportojnë.

Në vazhdim Morina foli për të gjeturat e raportit rreth cilësisë së ajrit me ç’rast tha se gjatë muajve të dimrit ka tejkalime të shpeshta duke theksuar se në të kundërtën edhe moti i mirë gjatë dimrit mund të parandalojë tejkalimet.

“Sa i përket cilësisë së ajrit konstatohet se tejkalimet janë të shpeshta. Nëse 35 ditë janë të lejuara për tejkalim të grimcave PM 10 dhe PM 2.5, gjatë vitit 2016 kemi patur mbi 70 ditë tejkalime që i bie është mbi dyfishin e tejkalimeve. Por, gjithashtu disa parametra siç i ceka PM 10 dhe 2.5 ka tejkalime sidomos gjatë dhjetorit deri në muajin mars, kurse gjatë verës nuk ka tejkalime të dukshme”, potencoi ai, shkruan aa. Morina duke përmendur edhe ndotësit e tjerë të ajrit tha se: “KEK-u sidomos termocetrali ‘Kosova B’ i cili tani për tani është ndotësi më i madh për arsye se ‘Kosova A’ nuk i tejkalon normat, duhet që patjetër të fillojë të investojë në filtra të rinj, të sanojë dhe rikultivojë sipërfaqe të deponive në mënyrë që të minimizohet ndotja”.

Ndërsa sa i përket cilësisë së ujërave në Kosovë ai potencoi se mungesa e trajtimit të ujërave të zeza rezulton që lumenjtë në Kosovë të jenë të ndikuara nga ndotësit kimik./KosovaPost/