Policia e Kosovës gjendet brenda objektit të Ministrisë së Infrastrukturës, ministri kjo që drejtohet nga ministri në detyrë, Arban Abrashi.
Siç mësohet, arsyeja e prezencës së policisë së Kosovës është kthimi i sekretarëve të kësaj ministrie në objekt.
Ndërsa sot Ministria e Infrastrukturës ka njfotuar se ministri Arban Abrashi, ka pezulluar nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Izedin Bytyqi dhe ndaj të njëjtit është inicuar procedura e shqyrtimit të shkeljes së rëndë disiplinore, shkruan lajmi.net. Bytyqi, gjatë muajit shkurt ka kthyer në punë si Udhëheqës të Departamentit të Prokurimit në MI, Nexhat Krasniqin, duke vepruar në kundërshtim me aktvendimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme të Kosovës. Përmes këtij veprimi, Bytyqi bie ndesh edhe me zbatimin e parimit të ligjshmërisë dhe zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Moszbatimi i vendimit gjyqësor është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe institucioneve përkatëse, duke i cenuar kështu edhe dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ministri Abrashi shpreh vendosmërinë për hapje rrugë të funksionimit të drejtësisë në MI dhe ndalim të tentimit për të manipuluar me dokumentet e lëshuara nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Mbi këtë bazë, Bytyqi është liruar nga detyra të hënën (01.03.2021)”, thuhet në komunikatën e MI-së.