Me parullën: Jo vaksinë me detyrim!, dhjetëra persona kanë përshkruar në këmbë shëtitoret e Prishtinës, gjatë paradites së sotme, transmeton Kosova Post.
Protestuesit janë shprehur kundër imponimit të vaksinës në mënyrë të dhunshme, duke theksuar se kjo do të përbënte shkelje të të drejtave të njeriut.
“Sot këtu në Prishtinë, ne anëtarët e grupit joformal Iniciativa Qytetare e Kosovës ”Jo vaksinim me detyrim” si dhe qytetarët nga mbarë Kosova, jemi tubuar në ditën mbarëbotërore të protestave për të ngritur zërin tonë kundër shkeljes së lirive dhe drejtave themelore të njeriut, për lirinë e fjalës, lirinë e lëvizjes, lirinë e zgjedhjes, kundër vaksinimit me detyrim, kundër çertifikatave të vaksinimit, kundër lockdownit (mbylljes), kundër maskave me imponim, kundër distancës sociale me imponim, kundër censurës, kundër diskriminimit, kundër segregacionit, kundër kushtëzimit” – tha avokati Faik Miftari, i cili kishte ardhur nga Prizreni, për t’iu prirë protestuesve.
Imponimi përdhosë dinjitetin e njeriut, i cili është i mbrojtur me kushtetutë.
Për më shumë, ai tha se:
“Qeveria e Kosovës, me vendimin e saj nr. 01/32 të datës 28.08.2021 jo vetëm që e ka cenuar dinjitetin njerëzor, por njëkohësisht ka bërë segregacion, ndarjen e qytetarëve në të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit, si dhe kushtëzimin e tyre në hyrje të objekteve punuese me çertifikata vaksinimi, teste dhe dëshmi.
Vendimi i qeverisë është në kundërshtim me nenin 20 paragrafi 1 i Ligjit nr. 2004/38 për të drejtat dhe përgjegjësit e qytetarëve për kujdesin shëndetësor i cili thotë: “Qytetari ka të drejtë në ruajtjen e konfidencialitetit dhe përmasës private të të dhënave personale; të informatave që janë të lidhura me gjendjen e tij shëndetësore; trajtimin mjekësor si dhe çdo informate tjetër, që përmban dokumentacioni i tij shëndetësor”.
E drejta e çdo qytetari në Kosovë është të vetëvendos për veten e tij se a do të vaksinohet apo jo, këtë të drejtë ia garanton pikësëpari Kushtetuta e Republikës së Kosovës, saktësisht neni 26 i saj: “Secili person gëzon të drejtën e respektimit të integritetit fizik dhe psikik të tij/saj, që përfshin: (1) të drejtën që të marrë vendime lidhur me reprodukimin, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me ligj; (2) të drejtën që të ketë kontroll mbi trupin e saj/tij në pajtim me ligjin; (3) të drejtën që të mos i nënshtrohet trajtimit mjekësor kundër vullnetit të tij/saj në pajtim me ligjin; (4) të drejtën që të mos marrë pjesë në eksperimente mjekësore ose shkencore, pa pëlqimin paraprak të saj/tij”.
Qytetarët e Republikës kanë të drejtë dhe janë të lirë në vullnetin e tyre që të zgjedhin dhe vetëvendosin se a do të vaksinohen apo jo, dhe për këtë arsye në asnjë mënyrë dhe formë vaksinimi nuk mund të jetë i imponuar, i kushtëzuar, i urdhëruar, dhe se asnjë qytetar i Kosovës i cili vendos që të mos vaksinohet nuk mund të diskriminohet në asnjë formë të mundshme. Këtë të drejtë e ka paraparë edhe Rezoluta e Këshillit të Evropës nr. 2631 të datës 26 janar 2021, e cila thotë:
”7.3.1. të sigurojnë qytetarët që t’i informojnë se vaksinimi nuk është i detyrueshëm dhe askush nuk duhet të vihet nën presion politik, shoqëror apo presion tjetër për t’u vaksinuar, në rast se ata nuk dëshirojnë të vaksinohen;
7.3.2. të sigurojnë që askush nuk duhet të diskriminohet sepse nuk është vaksinuar për shkak të rreziqeve të mundshme shëndetësore, apo që vet nuk dëshiron të vaksinohet”.
Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të vetë vendosin në mënyrë të lirë, të zgjedhin me pëlqimin e tyre, pa imponim, pa kërcënim, pa presion, pa diskriminim, se a do të vaksinohen apo jo, kjo mbetet në vullnetin dhe ndërgjegjen e lirë të vet qytetarëve të Kosovës. Këtë ia garanton edhe Kodi i Nyrnbergut: “Pëlqimi i subjektit njerëzor është absolutisht i nevojshëm. Kjo do të thotë që individi i cili kyçet në eksperiment duhet të ketë zotësinë juridike që të jep pëlqimin, kërkesa duhet të jetë e arsyetuar që individi të mund të shfrytëzojë mundësin e lirë të zgjedhjes së tij, pa intervenim të çfarëdo elementi të forcës, mashtrimit, lajthitjes, imponimit, forcës së tepruar apo formës tjetër të kufizimit apo dhunës”.
Qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të jenë të lirë në zgjedhjen e tyre, kush dëshiron të vaksinohet le të vaksinohet, e kush dëshiron të mos vaksinohet në asnjë mënyrë të mos i imponohet apo të detyrohet të vaksinohet. Këtë nuk mund të detyrojë as presidentja, as kryeministri, as kryeparlamentari, as ministri i shëndetësisë, as ministrja e arsimit, dhe askush tjetër në Republikën e Kosovës.
Çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të mendojë, të logjikojë, dhe të vendos sipas ndërgjegjes së lirë të tij, që ia ka falë Zoti fuqiplotë, askush nuk guxon të detyrojë dikë që të veprojë kundër ndërgjegjes së tij të lirë.
Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut i përket domenit individual e jo domenit kolektiv, dhe si e tillë kjo e drejtë nuk mund të shfuqizohet, të ndalohet, të shkelet apo të kufizohet nga çfarëdo ligji të votuar nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, e as në ndonjë referendum eventual në të cilin qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të vendosnin për një gjë të tillë.”
Pas tij, edhe farmacisti Abdelnaser Çuni mbajti një tjetër fjalim. Ai i cilësoi vaksinat anti-covid si të dyshimta, duke qenë që sipas tij, nuk i kanë kaluar testet e nevojshme farmaceutike dhe nuk e kanë marrë vulën e institucioneve kredibile.
Vlen të theksohet se protesta ishte e qetë dhe pa incidente./KosovaPost/