Nga Sead Zimeri
Proceset e negociatave mund të zgjasin me dekada nëse fuqitë e mëdha, ose më saktë SHBA, nuk janë të interesuara të zgjidhin mosmarrëveshjen. Shikoni sa kohë kanë palestinezët dhe izraelitët në bisedime, me ndërmjetësimin e SHBA-së, vendeve të ndryshme evropiane dhe BE-së. Ndërsa fillojnë, ato përfundojnë me premtimin për bisedime të reja.
Negociatat nuk do të kenë sukses nëse: 1) Procesi i negociatave është i padrejtë, i njëanshëm, nëse ndërmjetësit kundërshtojnë hapur njërën palë, sepse ajo dëshiron të trajtohet si e barabartë me palën tjetër. Në këtë rast, bisedimet janë të dënuara që në fillim të dështojnë: nuk mund të ketë sukses për sa kohë që vullneti politik i njërës palë shtypet dhe konsiderohet i paarsyeshëm edhe pse është vullnet legjitim i popullit.
Kam ndjesinë se është krijuar bindja se vullneti politik i qytetarëve të Kosovës nuk rëndon aq shumë në institucionet e BE-së dhe SHBA-së.
2) Negociatat gjithashtu dështojnë kur fuqitë dominuese të botës nuk janë të interesuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Në fakt, një situatë e tillë u shkon për shtat përderisa kanë problemet e tyre lokale dhe tani që kudo ka skepticizëm të hapur për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, moszgjidhja e problemit të Kosovës është një arsye e përshtatshme për mosangazhim maksimal për zgjidhjen e problemit. Në fakt, ata gjejnë arsye për të sabotuar çdo marrëveshje të mundshme dhe më pas dalin publikisht me qortime që më kujtojnë qortimet të bëra ndaj Arafatit dhe liderëve palestinezë se gjoja nuk duan një marrëveshje dhe paqë me Izraelin. Por pak nga pak, pas çdo dështimi të negociatave, Palestina tkurrej dhe sot Palestina pothuajse nuk ekziston si entitet gjeografik.
Pra, realiteti flet një gjuhë krejtësisht të ndryshme nga ajo që po flisnin politikanët dhe apologjetët e Izraelit. SHBA-të ishin në anën e Izraelit dhe bisedimet ishin vetëm për sy e faqe sepse nuk kishte vullnet politik për të zgjidhur konfliktin.
Pra, le të fillojmë të mendojmë në mënyrë cinike: meqenëse nuk e dimë se çfarë mendojnë në të vërtetë SHBA dhe BE, është e arsyeshme të jemi skeptikë ndaj lojës që po luhet. Kur vendosin kushte të tilla duke e ditur se njëra palë, zakonisht ajo më e dobëta, nuk mund t’i pranojë, atëherë ose nuk ka seriozitet ose ka një plan tjetër që ata ende nuk mund ta zbulojnë.
Shpresoj që padashur të mos bëhemi instrumente politikash që mund të na dëmtojnë si komb dhe si shtet. Borreli tha qartë se BE-ja nuk është vetëm ndërmjetëse, por ajo vendos kushtet dhe luan rolin e gjykatësit dhe policisë.
Kosova është në një situatë ku as nuk mund të tërhiqet dhe as të pranojë të gjitha kushtet të vendosura ndaj saj. Interesat e saj nuk janë aq të mëdha sa të mos sakrifikohen për ndonjë politikë tjetër të panjohur për ne. Prandaj, më duket shumë naive të mendojmë se Kosova duhet të bëjë gjithçka që i kërkohet nga BE-ja dhe SHBA-ja. Dhe kjo nuk është më as çështje dinjiteti, por thjesht një çështje e ekzistencës si popull dhe e mbajtjes së kushteve që na mundësojnë këtë. Të kërkosh të bësh gjithçka që të kërkohet nga fuqitë e mëdha që kanë interesat e tyre pa i ditur planet e tyre, qofshin ato të mira apo të këqija për ne, është një botëkuptim jo vetëm naiv, servil, por i çoroditur dhe mundësisht shumë i rrezikshëm.