Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir tha se nuk ka dyshim se tensioni mes Serbisë dhe Kosovës nuk është zvogëluar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të BE-së për të zbutur çështjet e ndryshme konfliktuale midis dy palëve.
“Megjithatë, dyshoj se do të ketë ndonjë sulm të madh nga Serbia, sepse kjo thjesht nuk do t’i shërbejë interesit të saj. BE-ja nuk duhet të dekurajohet nga vazhdimi i përpjekjeve të saj për të pajtuar hap pas hapi dallimet mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht për shkak se demokratët janë ende në pushtet në Shtetet e Bashkuara, dhe Biden është shumë më i përkushtuar ndaj pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës”, ka shkruar ai në ‘X’.
Sipas tij, Kurti është njeri me integritet, nuk është i korruptuar dhe duhet të përfundojë mandatin dhe ta lërë publikun të vendosë për fatin e tij në zgjedhjet e ardhshme.
“Gjatë vitit të mbetur të mandatit të tij, Kurti tani duhet të fokusohet në përmirësimin e ekonomisë dhe sigurisht në eliminimin e korrupsionit. Por në veçanti, ai duhet të fokusohet në krijimin e mundësive të punësimit sepse është kritike që ai të ndalojë migrimin e të rinjve kosovarë”, tha ai.