Profesori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Bujar Dugolli, ka reaguar pas aksionit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në të cilin thuhet se Këshilli i Etikës së universitetit i ka shpallur plagjiatorë dy profesorë.
Dugolli thotë se vendimi i Këshillit të Etikës është joprofesional dhe i papranueshëm, sipas tij, është i ndikuar nga ORCA.
“Qe një vit, Organizata ‘’ORCA’’, e inicuar, siç thotë ajo nga një e-mail anonim, po vazhdon fushatën e orkestruar, mbase të mbështetur edhe nga struktura të tjera, për të më penguar mua në zhvillimin akademik dhe profesional dhe për t’i realizuar interesat e tyre me qëllim të kapjes së Universitetit, për të ndalur mendimin ndryshe, në organet vendimmarrëse të UP-së dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre biznesore”.
“Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontroll UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit, duke shmangur fokusin nga zhvillimet e dëmshme për universitetin, nga aspekti menaxherial, deri të keqpërdorimet e rënda të detyrës dhe buxhetit të UP-së”, ka shkruar Dugolli në rrjetin social Facebook.