Edhe Ingmar Bergmani, edhe Jean-Luc Godardi i përkasin një shtrese elitare të filmbërësve që e lehtësuan evoluimin e kinemasë, shkruan Swapnil Dhruv Bose për Far Out Magazine.
Ata i krijuan disa prej kryeveprave përkufizuese të kinemasë së shekullit njëzet, përfshirë filmat si “Persona” dhe “Pierrot le Fou”.
Në mënyrë të paevitueshme, veprat e tyre ishin gjithmonë në diskurs me njëra-tjetrën për shkak të sensibiliteteve tejet të ndryshme artistike por me një cak të njëjtë përfundimtar – ngritjen e kinemasë në format më të larta të artit.
Në shumë intervista, Bergmani jepte lëvdata për kineastë të tjerë si Alfred Hiçkoku dhe bashkëkohës të tjerë, përfshirë Federico Fellinin dhe François Truffautin.
Por kishte edhe të atillë me nam, por që për të nuk ofronin kurrfarë vlere – ndër ta Michelangelo Antonioni e Luis Bunueli.
Por ishte novatori francez Jean-Luc Godardi, pionieri i Valës së Re, ai të cilin suedezi nuk mund ta toleronte.
Godardi njihej si fëmija i tmerrshëm i kinemasë franceze, me eksperimentimet e tij si te filmi revolucionar “Breathless”.
Qëllimi i Goddardit ishte që t’i bënte të gjithë ta kuptonin që “secili editim ishte një gënjeshtër”.
Fatkeqësisht, Bergmani kurrë nuk i kishte kuptuar eksperimentet kinematografike të Godardit dhe vetërefleksivitetin e tij postmodern.
Ai i hidhte poshtë veprat e Godardit pasi i konsideronte “të afektuara, intelektuale dhe të obsesionuara me veten”, duke pohuar që as mund t’i vlerësonte, e as t’i kuptonte plotësisht qëllimet artistike të Godardit.
“Kurrë nuk kam nxjerrë diçka nga filmat e tij. Ata duken të ndërtuar dhe tërësisht të vdekur”, kishte thënë Bergmani.
“Në sens kinematografik, janë jointeresantë, pseudointelektualë dhe pafundësish bajatë. Godardi është një bajat i dreqit. I ka bërë filmat për kritikët. Njëri prej filmave, “Masculin Feminin”, qe xhiruar këtu në Suedi. Ta mpinte mendjen me bajatllëk”.
Edhe më vonë, kah viti 1971, Bergmani i kishte shpjeguar arsyet se pse nuk mund ta pëlqente punën e Godardit, duke thënë që megjithatë gjithmonë i admiron njerëzit që e ka një një ide sado të çmendur dhe i rrinë pas dhe bëjën diçka – por jo edhe Godardi.
“Por nuk mund t’i shoh filmat e tij. Ulem ndoshta për nja 25, 30 apo 50 minuta dhe pastaj më duhet të largohem, sepse filmat e tij më bëjnë nervoz”.
“E kam ndjesinë gjatë gjithë kohës që ai dëshiron të më tregojë diçka, por nuk e kuptoj se çka është, dhe nganjëherë e kam ndjesinë se po bën blof, po më mashtron”.
Por ndjenja nuk ishte e ndërsjellë. Godardi e përmendte Bergmanin si njërin prej ndikimeve më të mëdha në krijimet e tij.
Pavarësisht fjalëve të Bergmanit, Godardi nuk e reshti kurrë vizionin e tij dhe eci gjithmonë rrugës së vet.