Nga David Harsanyi “National Riview”
Sipas çdo lloj standarti, Amerika është vendi më tolerant në botë. Ky është një fakt që harrohet lehtë nga ata që e përjetojnë atë. Dhe këto ditë, është diçka jo shumë në modë për t’u përmendur. Por niveli i bashkëpunimit paqësor midis njerëzve me prejardhje, bindje dhe besime vërtet të ndryshme, është krejtësisht i paprecedentë në historinë njerëzore.
Megjithëse Bashkimi Evropian u konceptua për të ruajtur paqen në kontinentin e vjetër, dhe për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara, ai nuk i është afruar kurrë përsëritjes së komoditetit të jetës në SHBA.
Asnjë vend në Evropë nuk i është afruar përsëritjes së tij. Sigurisht që jo në të kaluarën, por as sot. Pavarësisht perceptimeve, pakicat në Evropë jetojnë në kushte më të këqija. Antisemitizmi po mbërrin sërish në nivele të rrezikshme. Politikat evropiane e kanë bërë gati të pamundur asimilimin e suksesshëm të emigrantëve. Gati në çdo vend të Evropës Perëndimore, si edhe në shumë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore, këto probleme kanë shkaktuar reagime të shëmtuara nacionaliste.
Asnjëra nga këto nuk do të thotë se në Amerikë nuk ekziston paragjykimi. Një pretendim i tillë do të ishte absurd. Megjithatë, shumë amerikanë jetojnë nën konceptin e rremë se Shtetet e Bashkuara janë për nga natyra, themelimi, dhe fati i tyre, një shtet në thelb racist dhe ksenofobik.
Po kështu edhe shumë evropianë. Sipas sondazheve, të paktën 7 në 10 të rritur që jetojnë në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Britani besojnë se racizmi është “një problem madhor” në Shtetet e Bashkuara. Ky mund të ishte një pozicion i kuptueshëm, nëse më shumë se një përqindje e vogël e atyre evropianëve do të besonin të njëjtën gjë për vendet e tyre.
“Për botën, ne jemi tani Amerika raciste”- thuhej në titullin e një artikulli të vitit 2020 nga Robin Wright në “The New Yorker”. “Afro-amerikanët po shkojnë të jetojnë jashtë shtetit”-thuhej në një artikull në“USA Today”. “Vetëm kur u largova nga SHBA për të jetuar në Spanjë, pata vërtet një ndjenjë se si duket liria. Unë isha në gjendje të isha 100 për qind vetvetja pa pasur nevojë që të shqetësohesha për sigurinë, dhe pa pasur nevojë të kem shumë një identitet kompleks”- është shprehur Sienna Brown, lindur në Bruklin të Nju Jorkut, e cila tani banon në Valencia në bregdetin e Mesdheut.
Dikush mund ta pranojë, se një jetë e mbyllur në Valencia mund të jetë më e preferueshme sesa të jetosh në një lagje të Nju Jorkut. Siç ndodh shpesh me shumë amerikanë që vizitojnë zonat e mbushura me resorte luksoze, Brown ngatërron një zonë të begatë e të ndërtuar enkas për turistët me kontinentin evropian në tërësi.
Universitetet amerikane si ai i Nju Jorkut,janë detyruar prej kohësh që të zbatojnë programe speciale për t’i përgatitur studentët amerikane që shkojnë jashtë vendit për racizmin që do të hasin në vende si Italia, Franca dhe Spanja. Historitë e studentëve që raportojnë nga Anglia janë gjithashtu të mbushura me incidente të intolerancës dhe abuzimit fizik.
Një grua afrikano-amerikane që shkoi në Londër në kuadër të një programi të Qendrës për Studime Globale dhe Ndërkulturore në Universitetin e Miçiganit, shkroi në faqen e internetit të shkollës: “Ndonjëherë në Evropë duket sikur ndarja racore nuk ka mbaruar. Gjatë javës sime të parë në Londër më refuzuan shërbimin në një restorant vetëm sepse jam me ngjyrë, dhe njërit prej miqve të mi iu refuzua hyrja në një klub për të njëjtën arsye. Në Shtetet e Bashkuara, nuk më kanë refuzuar kurrë shërbimin apo të kë kenë thënëse nuk mund të marr pjesë në diçka”.
Natyrisht këto rrëfime janë anekdotike. Por ato mbështeten nga kërkimet sociale dhe dëshmitë historike. Kur studiuesit Lorraine Brown dhe Ian Jones anketuan studentët ndërkombëtarë në një universitet në jug të Anglisë, nga 153 studentë pasuniversitarë, 49 thanë se kishin përjetuar një formë të drejtpërdrejtë abuzimi.
Shumica e abuzimeve ishte verbale, por racizmi u shfaq fizikisht për një pakicë të madhe studentësh. “U raportuan reagime të forta emocionale, përfshirë trishtimin, zhgënjimin, mallin për shtëpinë dhe zemërimin. Kishte një hezitim jo të vogël për t’u rikthyer në Britani qoftë edhe si turist”- vunë në dukje autorët.
Kur Bashkimi Evropian kreu një studim të evropianëve me ngjyrë në vitin 2018, zbuloi se 30 për qind e të anketuarve thanë se ishin ngacmuar në aspektin racor gjatë5 vitet e fundit, teksa 5 për qind e tyre ishin sulmuar fizikisht. Në Finlandë, 63 për qind e pakicave ndiheshin të ngacmuara.
Normat më të larta të dhunës me bazë racizmin u regjistruan po ashtu në Finlandë (14 për qind), Irlandë dhe Austri (që të dyja 13 për qind). Një e katërta e evropianëve me ngjyrë pretenduan se kishin përjetuar një diskriminim racor në punë apo gjatë kërkimit të një pune.
Një studim nga Universiteti Northwestern që krahasoi kushtet në 9 vende – Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe 7 vende evropiane – zbuloi se racizmi në praktikat e punësimit kishte shumë më të këqija në Evropë sesa në Amerikë. Kombet më diskriminuese ishin Franca dhe Suedia. Kur ekonomistët suedezë u përpoqën të vlerësonin nivelin e tolerancës racore të një vendi, ata iu drejtuan Anketës së Vlerave Botërore, e cila ka matur qëndrimet dhe opinionet globale për dekada.
Në mesin e 80 pyetjeve që shtron “World Values”, ekonomistët suedezë gjetën njërën për të cilën besonin se maste më së miri tolerancën: Kë nuk do të dëshironit si fqinj? Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera anglofone -Britania, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re – ishin më pak raciste, ndërsa një numër vendesh evropiane – mes tyre, po, Franca – ishin më racistet.
Në fakt, dukej se francezët ishin ndoshta njerëzit më pak tolerantë në kontinent, me 22.7 për qind që thanë se nuk donin një fqinj të një race tjetër. Pastaj asnjë vend evropian nuk kishte një shumicë që të besonte se rritja e diversitetit ishte pozitive për vendin e tyre.
Në vende të tilla si Greqia (63 për qind) dhe Italia (53 për qind), njerëzit besonin se diversiteti në rritje e bën vendin e tyre një vend më të keq për të jetuar. Afro 4 në 10 hungarezë (41 Për qind) dhe polakë (40 për qind) bien dakord me këtë. Këto shifra janë në kontrast të fortë me pikëpamjet pozitive të amerikanëve mbi këtë temë, të nxitura pa dyshim nga dekadat e integrimit të suksesshëm.
Rreth 60 për qind e amerikanëve, thonë se emigrantët e bëjnë vendin më të mirë për të jetuar, krahasuar me vetëm 7 për qind që thonë se e bëjnë atë më të keq. Jo shumë kohë pasi në SHBA shpërthyen protestat e “Black Lives Matter”, komisioneri i BE-së, Margaritis Schinas, tha se “nuk ka asnjë dyshim se Evropa në tërësi, ka ecur më mirë se Shtetet e Bashkuara sa i përket çështjes së racës, sepse ne kemi sisteme më të mira të përfshirjes sociale, mbrojtjes, dhe kujdesit shëndetësor universal”.
Në fakt, ky pretendim është i dyshimtë. Për këtë mjafton t’i hidhni një sy vetë organit qeverisës të Bashkimit Evropian. Pas protestave për vrasjen e George Floyd, Komisioni Evropian krijoi një task-forcë speciale për të studiuar dhe debatuar tensionet racore në kontinent. Por të gjithë në komision ishin të bardhë.
Në vendet e BE-së jetojnë rreth 15 milionë qytetarë me ngjyrë, dhe numri i pakicave etnike që jetojnë brenda shteteve evropiane është afro 50 milionë, ose rreth 10 për qind e popullsisë. Por sa është përqindja e evropianëve të pakicave të punësuar nga institucionet e BE-së?
Rreth 1 për qind.
Vetëm 15 për qind e evropianëve me ngjyrë kanë pronë, në krahasim me 70 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Në Shtetet e Bashkuara, pronësia e shtëpive nga afro-amerikanët është vazhdimisht mbi 40 për qind. Në Evropë, meshkujt me ngjyrë nën 30 vjeç përjetojnë rregullisht nivele të larta papunësie, shumë më tepër se sa norma e popullsisë së përgjithshme.
Nga e kaluara dhe deri tek historia bashkëkohore, shoqëria evropiane ka qenë e mbushur me intolerancë dhe fanatizëm, të hapur dhe të nënkuptuar. Dhe kjo nuk është befasuese, pasi evropianët kanë një përbuzje të rrënjosur thellë ndaj njëri-tjetrit.
Për shekuj me radhë, francezët dhe gjermanët, italianët dhe austriakët, anglezët dhe francezët, rusët dhe gjermanët vështirë se mund të jetonin pranë njëri-tjetrit pa konflikte, dhe aq më pak të asimilonin pa gjakderdhje grupet minoritare. Vetëm në historinë e kohëve të fundit, dhe nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane – që lejoi lulëzimin e demokracive liberale në kontinent – është zbehur rreziku i luftës midis kombeve evropiane.
Suksesi i Amerikës bazohet në aftësinë për të bindur njerëz të ndryshëm nga kultura të ndryshme, që të braktisin mënyrat e tyre të vjetra dhe të adoptojnë normat amerikane:një ideologji unifikuese, një kuptim i përbashkët i jetës qytetare, një hierarki e vlerave shoqërore, respektimi i ligjit dhe rendit, bazat themelore të liberalizmit, dhe pranimin e një shoqërie meritokratike dhe kontratave sociale. Pavarësisht nga të gjitha pabarazitë dhe mëkatet,Shtetet e Bashkuara, mbeten vendi më tolerant në botë, megjithëse gjithnjë e më shumë amerikanë duket se e kanë harruar këtë gjë./*Marrë me shkurtime/abcnews