Shkollat e shumta të niveleve të ndryshme, nga fillore në universitete, të Greqisë në Shqipëri u ngritën sa hap e mbyll sytë qysh në fillimin e tranzicionit të quajtur demokrat në vitet ’90.
Kjo sjellje kolonizuese e këtij shteti nuk përputhet aspak me marrëdhëniet e ndërsjella shtetërore e shoqërore, që vendi ynë i quan normale, bile edhe partnere strategjike, e cila ende e ka të ndaluar hapjen e shkollave shqipe edhe të arsimit fillor, pa le më lart. Në Greqi nuk bëhet fjalë as për shkollat shqipe në Çamëri por edhe aspak edhe për arvanitët, arbëreshët në vite, që jo vetëm flasin gjuhën ende në shtëpitë e veta, por janë edhe shumicë në 676 fshatrat e tyre, por edhe si përqindje popullsie në Greqi.
Kjo falë shovinizmit grekomadh dhe mëtimeve për Vorio Epirin edhe në ditët tona. Po si ka rrjedhur kjo histori ndalimi kaq kriminale?
Shkolla shqipe u ndalua me ligj perandorak e politikën shovene ortodokse të Patriarkanës së Stambollit, pasi synohej që shqiptarët të bëheshin nënshtetas muslimanë të perandorisë, me që shumica kishin përqafuar këtë fe, ndërsa Patriarkana synonte përfshirjen e ortodoksëve shqiptarë nën pushtetin e kishës greke. Mbreti Oton i Greqisë dhe shqiptari tradhtar kryeministri Jani Koleti ndaluan përdorimin e gjuhës shqipe jo vetëm se flitej në parlament nga shumica shqiptarë që i dhanë lirinë e pavarësinë Greqisë, por u ndalua plotësisht dhe vijon ende sot, jo vetëm në trojet shqiptare nën Greqi, por edhe në fshatrat shqiptare, nga të cilat mbi 20 në rrethinat e Athinës dhe në lagjen Plakë në qendër të saj.
Në 1844 u hartuan platformat akademike si “Naçertania “serbe e Grashaninit, “Megali idea”( Idea e madhe”) greke dhe “Zeta” malazeze, të cilat synonin pushtimin e trojeve shqiptare, kur të shpërbëhej perandoria osmane. Këto shtete u mbështetën edhe nga miqtë e tyre, fuqitë e mëdha evropiane e Rusia, që synonte daljen në ujërat e ngrohta në Mesdhe. Greqia filloi luftën në trojet shqiptare për ta përzënë popullsinë shqiptare nga trojet e veta me bandat e Grivas qysh nga 1854 dhe deri në agresionin në Lëkurs në 1878, pra Greqia ishte më e paduruara. Qysh në Kongresin e Berlinit u hartuan planet për coptimin e trojeve shqiptare, kur edhe Bismarku e quajti Shqipërinë “një shprehje gjeografike”. Kështu genocidet kundër shqiptarëve në shekuj janë nga më të tmerrshmit në botë, duke filluar me ndalimin e gjuhës shqipe nga fqinjët tanë tokësorë. Me këtë revan grek në 1887 në Shqipëri kishte 3 mijë shkolla, nga të cilat: 1.200 shkolla fetare islame, po aq greke private, 300 shkolla bullgare, serbe e vllahe. “Zosimea” greke e Janinës ishte shkolla për shqiptarët, por pak prej tyre u bënë grekofonë, si edhe në shkollat e tjera sllave.
Po ashtu ishte edhe ajo e Pandeli Sotirit. Siç dihet Sotiri u vra nga shovenët grekë , si edhe mësues e priftërinj të tjerë shqiptarë dhe kjo shkollë u mbyll pa u hapur mirë. Kjo luftë vijoi pa mbarim, edhe sot në ditët tona shkollat nuk hapen në Greqi, veç disa nga mërgimtarët tanë të tranzicionit. Çamët e arvanitët ende flenë gjumë për të drejtat e lirit e tyre njerëzore, por shpresohet të zgjohen si edhe vëllezërit e tjerë të tyre. Bisedimet mes dy vendeve ngecën dhe nuk dihet kur do të zgjidhen çështjet e mbetura në heshtje me Greqinë, e cila kërkon qiqra në hell edhe për pakicën greke në Shqipëri, kurse ajo vetë nuk zbaton asnjë konventë ndërkombtare për pakicat etj.