Washington Post ka publikuar një regjistrim audio të presidentit amerikan në detyrë Donald Trump. Në bisedën e gjatë, rreth një orë, presidenti Trump dëgjohet të ushtrojë presion ndaj Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, për të rillogaritur votat në favor të tij.
“Më duhen vetëm 11.780 vota”, dëgjohet të thotë Trump, duke kërkuar nga Raffensperger të gjejë mjaftueshëm vota sa për të kthyer rezultatin i cili e nxirrte humbës në këtë shtet. Ky veprim i Trump është konsideruar si një abuzim me pushtetin dhe një akt kriminal potencial.
Washington Post siguroi një regjistrim të bisedës në të cilën Trump fillimisht me lutje dhe kërkim nderesh, e më tej me kërcënime me pasoja të paqarta nëse sekretari i shtetit refuzonte të ndiqte pretendimet e tij të rreme, paalajmëroi Raffensperger se po ndërmerrte “një rrezik të madh” duke mos e ndihmuar.
Gjatë telefonatës, Raffensperger dhe këshilltari i përgjithshëm i zyrës së tij, hodhën poshtë kërkesat e Trump, duke shpjeguar se presidenti po mbështetet në teoritë e komplotit dhe se fitorja e Presidentit të zgjedhur Joe Biden me 11,779 vota në Xhorxhia ishte e drejtë dhe e saktë. Trump i hodhi poshtë argumentet e tyre.
“Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar. Dhe nuk ka asgjë të keqe të thoni se i keni rillogaritur votat”, dëgjohet të shprehet Trump.
“Nuk ka shanse që unë ta kem humbur Xhorxhian. Ne fituam aty qindra mijëra vota”, tha Trump. Disa nga bashkëpunëtorët e tij ishin në linjë ndërsa ai fliste, duke përfshirë Shefin e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows dhe avokatin konservator Cleta Mitchell, përfshirja e të cilit në përpjekjet e Trump nuk ishte njohur më parë.
Zëvendës presidentja e zgjedhur Kamala Harris e quajti bisedën e Trump një “abuzim të guximshëm të pushtetit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ndërsa avokati kryesor i fushatës së Biden, Bob Bauer, tha se regjistrimi “paraqet gjithë historinë e turpshme në lidhje me sulmin e Donald Trump ndaj demokracisë amerikane”.
Sipas Washington Post, Trump ishte ai që foli më shumë gjatë bisedës telefonike, duke arritur madje deri aty sa ta quante Raffensperger “fëmijë”. Më tej ai i ka quajtur zyrtarët si ose ”të paaftë” ose “jo kompetentë”, për mos gjetjen e mashtrimit me votat në Atlanta.b.web