Murati e pyet Tolajn për punësimin e vajzës së një ministri
Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Valon Tolaj gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit është pyetur edhe për punësimin e vajzës së ministrit të Ekonomisë, Blerim Kuçit në këtë institucion. Kësaj pyetjeje nuk i është përgjigjur Tolaj, por deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
“Në këtë vit zonja Ermirë Kuçi ka aplikuar dhe është pranuar në pozitën zyrtare e financave të buxhetit. Zonja Ermirë Kyçi se sa e kam parë është e bija e ministrit aktual Blerim Kuçi. A është e vërtetë kjo?” ka pyetur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati.
Tolaj ka refuzuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
“Nuk e kam në plan të përgjigjem në pyetje ku komentohen familjarët e të tjerëve”, është shprehur drejtori i AKP-së.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është përgjigjur në vend të Tolajt.
“E kuptoj pretendimin e Muratit. Ky di me t’i gjetë tezet e ku i ke dajtë. A po dojmë me hetu privatizimin apo me e nxënë ngushtë njëri-tjetrin? Ylli Kaloshi ëshë djali i Hidajet Hysenit, Nermin Pakashtica balldëska e Albin Kurtit, shpata e drejtësisë besoj është ndonjë montazh”, ka thënë Berisha.
Tolaj pranon se në AKP ka të punësuar familjarë nga VV dhe AAK
Pas insistimit të deputetit të AAK Bekë Berisha për konfirmimin e punësimeve partiake në AKP, drejtori Valon Tolaj e pranojë se janë të punësuar familjarë nga AAK dhe nga VV në Agjencinë e Privatizimit.
Bekë Berisha ka përmendur dhe rastet e familjarëve të VV.
“Edhe një herë po kërkoj përgjigje, a është i punësuar djali i Hydajet Hysenit, vajza e ish-ministres Rozeta Hajdarit, vajza e Shpëtim Bulliqi, dhe balldyzka e Albin Kurtit. Si dhe a ke pasur presion për privatizim nga ana e Agim Bahtiri kryetar i AAK”, pyeti Berisha.
Ndërsa, Tolaj pranoj se janë të punësuar edhe vajza e ministrit Blerim Kuçi, Emirë Kuçi, si dhe Binak Vishaj ish anëtar i KQZ nga AAK.
Ndërsa, kryesuesi i Komisionit Hajrulla Çeku nga VV kërkoi nga Tolaj përgjigje se në cilën kohë janë punësuar këta zyrtarë, por që nuk mori përgjigje.
**Për punësimet në AKP, Valon Tolaj drejtor i këtij institucioni nuk ka pohuar e as mohuar punësimin e vajzës së ministrit Blerim Kuçi në AKP.
Deputeti nga VV Hekuran Murati ka thënë se Emira Kuçi bija e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi është punësuar në AKP.
Ndaj, kësaj deklarate ka reaguar deputeti i AAK Bekë Berisha, duke ia përmend emrin Yll Kaloshi, djali i Hydajet Hysenit, si dhe të afërm të liderit të VV-së Albin Kurti.
Drejtori i AKP Valon Tolaj po ashtu nuk ka dashur të komentojë as punësimet e përmendura nga deputeti Berisha.
Tolaj tregon për bisedën me Ramush Haradinajn para se ta linte AAK-në për t’u bërë drejtor i AKP-së
Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Valon Tolaj po raporton në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit. Ai është pyetur edhe për ndërrimin e detyrave nga anëtar i AAK-së në pozitën e drejtorit në AKP.
Tolaj ka deklaruar se kur është emëruar në pozitën e drejtorit të AKP-së ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në AAK.
“Kam dhanë dorëheqje nga AAK nga pozita në parti dhe nga pozita e zëvendësshefit në fund të prillit të vitit 2018, për arsyeje personale, ndërsa drejtor në AKP jam emëruar në fund të nëntorit 2018”, ka thënë Tolaj.
Ai është përgjigjur edhe edhe për kontaktin që ka pasur me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj para emërimit të tij në këtë pozitë.
“Propozimi nuk vjen prej kryeministrit, Qeveria propozon vetëm anëtarët e bordit. Unë e kam zhvilluar kontaktin me bordin dhe e vetmja bisedë me ish-kryeministrin ka qenë kur unë e kam njoftuar kryeministrin për interesin tim për të aplikuar në pozitën e drejtorit menaxhues”, ka thënë Tolaj.
Tolaj më 26 nëntor 2011 ishte emëruar si drejtor menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit me një mandat 4-vjeçar.
Paraprakisht, Tolaj kishte qenë sekretar ekzekutiv i AAK-së.
AKP: Disa prona janë shitur nga 2 euro ari
Disa prona në procesin e privatizimit janë shitur edhe nga 2 euro ari, pronë shoqërore e privatizuar nga AKP-ja.
Këtë e ka konfirmuar drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor për hetimin e procesit të privatizimit.
Drejtori Tolaj ka mohuar se është shitë ndonjë pronë 1 euro për ari ashtu siç është raportuar në Komisionin parlamentar për hetimin e procesit të privatizimit.
Drejtori i AKP tha se shumica e pronave janë shitur me çmim më të lartë.
Tolaj ka mohuar të jetë anëtar i ndonjë subjekti politik aktualisht, derisa pranoi që ka qenë në AAK deri në vitin 2018./b.s