Serbia po i cilëson si “pushtim” vendimet e fundit të presidentit amerikan, Joe Biden, duke u nisur nga pesë emrat që presidenti i SHBA-së, i ka deleguar të merren për periudhën që po vjen në Ballkanin Perëndimor.
Siç shkruan media serbe “Blic” Washingtoni ka treguar synimet serioze që i ka për rajonin.
Pesë specialet e Biden janë Gabriel Escobar, Christopher Hill, Jeffrey Hovenier, Michael Murphy dhe James O’Brien – disa do të merren me rajonin si ambasadorë, disa si të dërguar specialë të Departamentit të Shtetit, por të gjithë këta zyrtarë kanë përvojë diplomatike, janë energjikë, dhe e njohin mirë Ballkanin.
Ata ishin shumë aktivë në rajon në vitet 1990, dy prej tyre morën pjesë në krijimin e ambasadës së re amerikane në Serbi pas ndryshimeve të 5 tetorit, dy ishin pjesëmarrës në negociatat në Rambuje dhe njëri shkroi tekstin e Marrëveshjes së Dejtonit, përcjell Demokracia.com.
Gabriel Escobar është caktuar i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit që e njohin e kanë cilësuar si shumë energjik. Ai së fundmi e dëshmoi këtë me pjesëmarrjen në takimet për arritjen e marrëveshjes për çështjen e targave në Bruksel.
Sa i përket Serbisë, Escobar do të punojë krah për krah me Christopher Hill, të cilin Biden e nominoi kohët e fundit si ambasador në Serbi. Ardhja e tij pritet vitin e ardhshëm, ata e quajnë një yll diplomatik, por edhe një njeri që mund të shpejtojë zbërthimin e nyjës së Kosovës.
Hill praktikisht “po kthehet në vendin e krimit”, pasi shërbimi i tij i parë ishte Beogradi, dhe ai ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Richard Holbrooke dhe anëtar i ekipit të tij dhe pjesëmarrës në negociatat në Dejton dhe Rambuje.
Ai ishte gjithashtu i dërguari special për Kosovën (nga 1998 deri në 1999), ambasador në Maqedoni dhe kreu i ekipit për negociatat me Korenë e Veriut.
Hill do të shërbejë në Serbi, dhe kolegu i tij Jeffrey Hovenier në Prishtinë. Hovenier është gjithashtu një “specialist për Ballkanin”, dhe do të shërbej në Kosovë. Turqia është vendi i fundit ku shërbeu si zëvendësshef i misionit. Ka punuar edhe në ambasadat në Greqi e Kroaci dhe s’ka shtet në Ballkanin Perëndimor ku s’ka qenë i përfshirë.
Ai ka qenë pjesë e negociatave në Rambuje, si pjesëtar i ekipit të Martti Ahtisaarit. Ka ndihmuar në hapjen e ambasadës në Beograd më 2000 pas prishjes së raporteve në kohën e luftës në Kosovë.
Dikur ka qenë shef i zyrës së përkohshme të SHBA-së, me punën që lidhej për çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Më 2018, ka marrë medalje nga presidenti Hashim Thaçi në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Në deklarimin e tij në Komitetin për Punë të Jashtme në Senatin Amerikan Hovenier ka thënë se “do ta përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, për çka, citoj presidentin Biden, fokusi është te njohja reciproke”.
Ashtu si Hovenier, Michael Murphy, ambasadori i ri i SHBA-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, është veteran i Departamentit të Shtetit dhe ka 29 vjet përvojë në politikat e jashtme. Ai aktualisht shërben si zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropë e Euroazi.
E njeh mirë Ballkanin, për çka s’është befasi sepse ka pasur pozita të larta në Sarajevë e Prishtinë. Në Bosnje ka qenë këshilltar në Ambasadë në periudhën 2006-2009 dhe në Kosovë zëvendësshef i Misionit amerikan në periudhën 2009-2012..
Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, James O’Brien, i cili është nominuar për koordinator të politikave sanksionuese të Departamentit të Shtetit, do të merret edhe me Ballkanin.
Ai konsiderohet si amerikani kyç në draftimin e Marrëveshjes së Daytonit, dhe i është atribuuar edhe shkrimi i Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, në aneksin për marrëveshjen e paqes.
Nga viti 1989 e deri më 2001 ka qenë këshilltar i lartë i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, si zëvendësdrejtor i parë për planifikime politike dhe i dërguar për Ballkanin.
Në qeverisjet e Clintonit nga viti 1993 e deri më 2001 ka punuar në Departamentin e Shtetit me fokus në çështjet e ish-Jugosllavisë dhe krimet e luftës. Ka punuar edhe me Barack Obaman në Shtëpinë e Bardhë. Aktualisht është zëvendëspresident i grupit këshillues ndërkombëtar “Albright Stonebridge”.