Ish-komandanti i përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se Serbia përfundimisht do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai ka folur edhe për një konflikt të mundshëm në Ballkan, si përpjekjet e presidentit rus Vladimir Putin ta përdor Serbinë për ëndrrën perandorake të Rusisë.
Clark, duke folur për kontekstin aktual gjeopolitik, dhe nëse Rusia po përdor Serbinë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit, ka thënë se Serbia ka qenë mikja më besnike e Rusisë për 150 vjet.
Clark ka folur edhe për presionin që bashkësia ndërkombëtare po i bën Kosovës, kurse Serbia mbetet e pandëshkuar për sulmin terroristë në Banjskë.
“Kur analizoj balancën e bashkësisë ndërkombëtare, shoh shumë presion mbi Serbinë. Dhe mendoj se presioni është i garantuar sepse Serbia po përpiqet të luajë me dy porta. Unë mendoj se nga njëra anë, njerëzit e zgjuar në Serbi e kuptojnë se është e nevojshme të kenë marrëdhëniet e tyre me perëndimin, por mendoj se poli historik dhe disa nga partitë radikale në Serbi ende po përpiqen të çojnë përpara interesat e tyre egoiste për të ruajtur marrëdhënien me Rusinë. Dhe Serbia do të duhet ta kuptojë këtë. Nuk mund të luajë me dy porta…”, ka thënë gjenerali amerikan.
Clark duke folur për dialogun dhe përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se Serbia do ta njohë Kosovën.
“Mendoj se Serbia përfundimisht do ta njohë Kosovën si shtet. Unë mendoj se shumë do të varet nga mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Nëse Ukraina pranohet si anëtare e NATO-s dhe se si do ti përgjigjet Rusia kësaj. Dhe përfundimisht, siç tha Presidenti Obama, historia do të përkulet nga drejtësia. Dhe unë mendoj se drejtësia në këtë rast është ajo qe serbët do të lënë mënjanë ambiciet dhe pasiguritë e tyre historike dhe do të kalojnë në shekullin e 21-të. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë Kosova dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit”, tha ai.
Gjeneral amerikan ka folur edhe lidhur me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në NATO.
“Mendoj se me Serbinë ka çështje politike. Nuk mendoj se është gati të anëtarësohet në NATO. Do të ishte befasuese nëse do te ndodhte. Nëse Serbia dot e merrej me çështjet problematike do të ishte e mirëseardhur të anëtarësohej në NATO. Unë mendoj se kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme. Do të doja gjithashtu të shihja Kosovën gjithashtu në NATO. Ka disa gjëra specifike që duhet të bëhen për të qenë gati për anëtarësim në aleancë, dhe do të më duhej të hyja në detaje specifike për ta vlerësuar gatishmërinë për t’u anëtarësuar, dhe nuk e kam bërë këtë. Por mendoj se në parim do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse i gjithë Ballkani ishte në NATO”, ka thënë Clark. /A2CNN/