Nga: Nizar Kabbani
(Poezi kushtuar Kudsit, Palestinës)
Qava .. derisa lotët mbaruan
U luta .. derisa qirinjtë u shkrinë
Unë u përkula, derisa u gjunjëzova
Unë të pyeta për Muhamedin dhe për Isain
O Kuds, o qytet që mban erë profetësh
O rruga më e shkurtër midis tokës dhe qiellit
O Kuds, o fener i ligjeve të shenjta
O foshnje e bukur me gishtërinj të djegur
Sytë e tu janë të trishtuar, o qytet i Virgjëreshës
O oazë me hije përmes së cilës kaloi i Dërguari
Të trishtuar janë gurët e rrugëve
Të trishtuara janë minaret e xhamive
O Kuds, o qytet i bukur, i mbështjellë me të zeza
Kush u bie kambanave në Kishën e Varrit të Shenjtë?
Të dielave në mëngjes…
Kush i bartë lodrat për fëmijë?
Në prag të Krishtlindjes…
O Kuds, o qyteti i dhembjeve
O lot i madh që endet nëpër qepalla
Kush do ta ndalojë agresionin?
Ti, o Perla e Feve
Kush po e lanë gjakun nga gurët e mureve?
Kush e ruan Biblën?
Kush e ruan Kuranin?
Kush e shpëton Krishtin nga ata që e vranë Krishtin?
Kush e shpëton njeriun?
O Kuds… O qyteti im
O Kuds… O dashuria ime
Nesër… nesër… limoni do të lulëzojë
Dhe kallinjtë e gjelbër dhe ullinjtë do të gëzohen
Dhe sytë do të qeshin…
Pëllumbat migrues do të kthehen
Mbi pullazet e papërlyera
Dhe fëmijët do të kthehen për të luajtur
Prindërit dhe djemtë përsëri do të takohen
Mbi lulëzimet e bekuara…
O vendi im…
O vend i paqes dhe ullinjve
Nga arabishtja F. Z. H