Qeveria amorfe nuk ka ndonjë program të qartë për qeverisje

Qeveria amorfe nuk ka ndonjë program të qartë për qeverisje

Shkruan: Agim Vuniqi

-Partneriteti në pastrimin e parave dhe zhvillimi i aparatit korruptiv, ka krijuar ndërmarrësit politik ndërmjetësues të cilët shfrytëzojnë lidhjet me pushtetin “deal, no deal”, edhe gjatë procesit të privatizimit “më jep-të jap”-

Klima e krijuar politike në popull se pushteti-shteti do të zgjidhë problemet e grumbulluara, jo vetëm politike por edhe ato ekonomike, ishte uvertyrë e një realiteti të ri joreal, të bojkotit të përgjithshëm të minoritarëve serb “sipas rrethanave”, sidomos të Mitrovicës Veriore, të udhëzuar nga qeveria serbe; gjë që vështirësojë në mënyrë të theksuar jetësimin praktik të projektit politik dhe kombëtar-shtetëror shumë domethënës, atë të pavarësisë praktike.

Ballafaqimi me një situatë “të realitetit të hidhur”, që sigurisht po përjetohet rëndë, nga përballja e përditshme me “frytet” e Marrëveshjes së Ahtisaarit, e pranuar me pajtimin e vullnetshëm të palës shqiptare, ngadalë po i rikthehet “normalitetit” të nevojshëm për të kuptuar të gjitha vështirësitë menagjuese me të cilat do të përballet e qeveria e Kosovës në t’ardhmen.

E mira së mirës do të ishte që të kryhen sa më shpejt “marifetet” kushtetuese për të përmbushur kriteret e shtetëzimit të Kosovës, në veriun e së cilës abuzohet gjuha shqipe, nuk respektohet rregulli për mbishkrimet e lokaleve afariste edhe në gjuhën shqipe; valon vetëm flamuri serb, tregtohet me dinarë dhe, ligjet që prodhohen nga Kuvendi i Kosovës nuk janë aktive, në anën tjetër të Ibrit?

Në vend të ligjërimeve të stërngarkuara politike, sigurisht që më mirë do të ishte që edhe grupet e qytetarëve të japin propozime konkrete të zgjidhjes së problemeve të tyre për të kaluar edhe në procedurën e dëgjimit në komisionet dëgjimore, në t’ardhmen, fundja ia vlen të punohet për veten dhe për të ardhmen e vendit.

Problemeve të shumëta zhvillimore dhe të mirëqenies së qytetarëve edhe pse nuk janë të pakta, po i shtohen edhe problemet e natyrës politike-etnike, që shumë po e rëndojnë perspektivën e qytetarëve. Në këtë drejtim Serbia ka aktivizuar tërë potencialin diplomatik, por edhe atë subverziv-përpjekja për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së me përzierje në afera skandaloze të tregëtisë me organe trupore…

Pastaj, më herët pat dështuar edhe kërkesa e kreut serb për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që pranuan pavarësinë e Kosovës…, edhe marrja e hapave tjerë arbitrar për të penguar njohjet e reja ishte vetëm “prashitje në ujë”, sepse Kosova kishte marrë bekimin nga BE dhe SHBA për të ndërtuar shtetin dhe se zgjidhje tjetër alternative nuk kishte.

Kosovës pra po i bëhet pranimi ndërkombëtarë “Diplomatic Recognition”, ka nevojë edhe kaq sa e kanë pranuar. Eshtë çështje tjetër sa kanë kapacitet politik dhe diplomatik shqiptarët të kyçen në rrjedhat integruese në Evropë dhe në botë dhe, pa një plan konkret për të ardhmen e vendit, nuk ka edhe ndonjë perspektivë të qartë. Nëse qeveria pretendon që të ngulfat hapësirën e autonomisë institucionale të subjekteve tjera buxhetore sidomos të atyre ekonomike, përfshirë edhe kompanitë publike, atëherë vërtetë vendi po sharron në krizë të thellë.

Tendencat për qeverisje centraliste kanë filluar të vërehen dukshëm, kjo nga shkaku se qeveria nuk ka ndonjë program të qartë për qeverisje. Kompanitë publike janë nën presion të vazhdueshëm, jo vetëm në realizimin e detyrave të parashtruara ditore javore, mujore.., por edhe nën diktatin e vazhdueshëm të ministrave. Si duket mungesa e eksperiencës menagjuese ka bërë të veten, në vend të avancimit të proceseve vërehet një ngadalësim i tepruar.

Qeveria dhe ministritë përkatëse nuk janë të emëruara për të udhëhequr ndërmarrjet, shkollat, spitalet, ato janë për të ndërtuar pakot ligjore që do të lehtësojnë dhe avansojnë marrëdhëniet ekonomike në vend. Deri më tash nuk ka pasur ndonjë fjalim të qartë të kryeministrit se cilët janë hapat që do të ndërmarr ai për të lëvizur ekonominë vendore nga vendi.

Ka shumë çështje që janë lënë pas dore, nuk është qartësuar ende pronësia dhe, kush është titullar i vërtet i ndërmarrjeve publike…, u privatizuan ndërmarrjet me metodologjinë e “spin off-it” u bë transakcioni i ndërmarrjeve publike duke formuar kompani/entitete të reja, pyetja ishte a janë ato vërtetë shtetërore, nëse po, gjë që është evidente, meqë ato po i menagjon qeveria, atëherë po vërehet se qeverisja e ekonomisë në Kosovë është sërish centraliste, për atë edhe politika kadrovike është dështake, e si atëherë po proklamohen partitë në pushtet se janë djathtiste, ato janë bërë ultra djathtiste!

Mirëpo vendit i duhen edhe ato të spektrit të majtë, pa to nuk ka balansë pushteti pozitë-opozitë. Edhe ato ndërmarrje të cilat janë të privatizuara janë në funksion të aparatit shtetëror, veç po shihet se shumë ndërmarrje të cilat janë regjistruar kanë qenë fiktive, qëllim parësorë i të cilave nuk ka qenë afarizmi i suksesshëm dhe zbutja e papunësisë, por partneriteti në pastrimin e parave dhe zhvillimi i aparatit korruptiv, duke u krijuar ndërmarrësit politik ndërmjetësues të cilët shfrytëzojnë lidhjet me pushtetin “deal, no deal”, edhe gjatë procesit të privatizimit “më jep-të jap”.

Nuk është arritur deri më tash gjë kur thuhet se auditimi ka gjetur shkelje procedurale në menagjim dhe pastaj të shtohet se ndaj tyre do të ngritet kallzimi penal. Së pari duhet kuptuar se edhe ndërmarrjet publike, por edhe private, janë të detyruara të bëjnë auditimin e brendshëm tremujor (nëpër kuartale) dhe atë vjetor, për të pasur më të qartë afarizmin e ndërmarrjes.

Kjo është esenciale edhe për politikën tatimore të vendit ngase është shumë më lehtë të përcillen ecuritë ekonomike në vend. Përveq kësaj kështu më lehtë mund të përcillen të gjitha subjektet tatim-paguese. Eshtë gabim i rëndë kur ndonjë person zyrtar intervenon në organizatat publike dhe përzihet në politikën kadrovike drejtpërsëdrejti, pavarësisht nga pozita në hierarki, në PTK, KEK, apo në RTK…; ja pra si përcillet afarizmi i ndërmarrjeve publike, më mirë do të ishte të krijohet korniza ligjore për të gjitha subjektet e organizuara afariste, private dhe publike, dhe kështu të përcillet afarizmi, se a është në suaza ligjore apo jo?

Sigurisht që është gabim i pafalshëm menagjimi i ndërmarrjeve me qeverisje të centralizuar, është ky koncept i dështuar i ekonomisë centraliste…, bile shumë më fleksibil dhe më i butë ka qenë ai i vetëqeverisjes, bile qenë më tranparencial dhe me një kontrollë më të theksuar të afarizmit, edhe nga vet prodhuesit e drejtpërdrejt, jo si tash kur afarizohet përmes vijave telefonike menagjer-qeveri-kryeministër.

Sigurisht që mosmarrëveshjet e brendshme shqptaro-serbe në Kosovë do të acarohen edhe më, ashtu siç do t’i diktojë qeveria serbe me aparatin e saj. Deklaratat serbe-ruse që adresohen shpesh mbi Kosovën kanë për qëllim ruajtjen e balancit diplomatik, për të mbajtur presionin e vazhdueshëm diplomatik në raport me BE-në dhe SHBA, për t’i bërë koncesione të mëtejme Serbisë.

Serbia e cila ishte në luftë kundër të gjithëve, u këndell nga politika amorfe ; e kishte të qartë se të gjitha subjektet ish-federale me kufij të e brendshëm do të dalin me kufijë të trashëguar si të jashtëm, ishte ky një proces që ligjërisht përfundojë me pavarësinë e Kosovës.

Si të kuptohet ndryshe pra kërkesa e vazhdueshme-bombarduese e revidimit të kufijve? Në bazë të marrëveshjes së përbashkët teknike me Serbinë, duhet të pranohet sovraniteti i dyanshëm, pra, i pranimit diplomatik reciprok dypalësh, përndryshe angazhimet tjera-konkluzat do të jenë dashakeqe, të tendencës për realiteteve të reja, të largim-pranimit të Kosovës si subjekt shtetëror.

Image may contain: 1 person