Qeveria Haradinaj kundër Republikës së Kosovës?! (Editorial)

Qeveria Haradinaj kundër Republikës së Kosovës?! (Editorial)

Shkruan: Imer Topanica

A ka ngecur prapa për 10 vite ora e Kryeministrit të Republikës së Kosovës? Opinioni publik edhe mund ta ketë formuar një perceptim të gabuar për punën e tij deri më sot, sepse ekipi i tij është angazhuar që agjenda e tij brenda vendit, të duket si e ngjeshur. Por a është kjo vetëm një fasadë?

Por t’i identifikosh dobësitë e qeverisë aktuale, nuk është aq e vështirë. Në vijim mund t’i rendisim disa prej tyre:

Miliona euro pa destinacion

Vetëm Ministria e Inovacionit, sipas buxhetit të planifikuar për këtë vit, do t’i ketë në dispozicion afro 10 milionë euro. Por edhe pse qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj ka hyrë në 100 ditshin e dytë të punës, kjo ministri, ende nuk ka as ueb zyrtar. Me përjashtim të disa deklaratave, askush nuk di se ku me saktësi do të shpenzohen këto miliona.

“Nga totali i buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm prej 10 milionë euro, 9.5 milionë do të përdoren për përkrahje të inovacioneve dhe ndërmarrjeve private në tri shtylla kryesore: në edukim përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore, infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe në ndihma direkte në formë të subvencionimit”, ka deklaruar vet ministri Besim Beqaj disa javë më parë. Por kjo deklaratë tepër e përgjithësuar, nuk shpjegon asgjë.

Shteti i izoluar

Numri i qytetarëve që kërkojnë të largohen nga vendi përmes linjave zyrtare, është i madh. Numri i atyre që kërkojnë të largohen nga vendi, në mënyrë ilegale, nuk ka qenë e as që është për t’u injoruar.

Mbaj mend para disa kohe, një organizatë që kishte intervistuar disa të rinj të shkollave të mesme, kishte nxjerr rezultate paradoksale. Në pyetjen nëse janë të gatshëm për të luftuar për ta mbrojtur vendin me armë në dorë nëse vjen situata deri aty, përqindja e atyre që kishin thënë PO, ishte e lartë (nëse nuk gabohem, mbi (90%), por në pyetjen nëse ishin të gatshëm për të emigruar drejt perëndimit nëse u epej mundësia, po ashtu ishin përgjigjur me po, një përqindje e lartë e tyre. Pra si do ta mbronin vendin në një situatë hipotetike këta të rinj? Nga Australia, Kanadaja, Gjermania etj?…

Fundja vet rasti i refuzimit të vizës nga ana e ShBA-ve për Kryeministrin Haradinaj, u komentua gjatë, si të ishte shembulli më i mirë me të cilin ilustrohet izolimi i vendit.

Çështjet e pazgjidhura

Demarkacioni dhe formimi i ushtrisë, mund ta gjunjëzojnë këtë qeveri të përbërë madje edhe prej atyre që e kundërshtojnë këtë të fundit. Lista Serbe asnjëherë nuk ka dëshmuar se ka ndërruar qëndrim për sa i përket ushtrisë. Ndërsa për sa i përket çështjes së demarkacionit, ka deputetë të që vijnë nga fronti i pozitës dhe të cilët kanë kërcënuar me votë kundër demarkacionit. Në këtë situatë Qeveria Haradinaj është pa rrugëdalje.

Administrata e ngarkuar

Sa do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës afro 80 zëvendësministra për të cilët duhet siguruar 80 zyre, 80 kompjuterë, 80 paga etj? Sërish qeveria është një shembull i keq në këtë drejtim. Raportet për progresin e Kosovës drejt plotësimit të kushteve për në BE, pothuajse të gjitha, kanë bërë vërejtje për sa i përket administratës. Administrata e ngulfatur, cilësohet si një faktor i cili ngadalëson progresin e vendit, duke pamundësuar marrjen e vendimeve me kohë, pra duke mos dëshmuar se bëhet fjalë për një administratë efikase.

Dhe në fund…

Disa me të drejtë thonë se Kosova asnjëherë nuk ka dalë nga hija e krizave. Duke mos arritur të këndellet, ajo ka rënë nga një krizë në tjetrën. Kjo ka bërë që shoqëria të sillet ndaj të gjitha proceseve, si me qenë e topitur. Tashmë është më se e zakonshme që edhe për çështje jetike, të mos ketë reaksione të gjëra nga ana e shoqërisë. Abuzimi krejt hapur me buxhetin e shtetit nga pushtetarët oligarkë, është arritur nga ky manifestim i përçudnuar i qytetarit me shtetin. Shtetarët vjedhin, qytetarët u ikin taksave. Duket që ky është kompromisi i vetëm që kanë arritur palët përgjatë këtyre viteve të tranzicionit politik.

Rrëzimi i kësaj qeverie, nuk ia sjell shpëtimin vendit, e megjithatë, çdo alternativë tjetër duket më e mirë dhe më shpresëdhënëse. Edhe diçka, disa shpresojnë se Gjykata Speciale do ta çlirojë Kosovën nga disa  kosovarë, por kjo vështirë që mund të bëhet ashtu siç do të duhej të bëhej (sepse t’u besosh konstrukteve perëndimore pas përvojave me UNMIK-un dhe EULEX-in, është budallallëk me brirë). /Kosovapost/

 

You may also like

Tërmeti në Indonezi, bilanci i viktimave shkon në 436

Autoritetet indoneziane njoftuan se deri tani janë konfirmuar