Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar Qeverinë Kurti, për punën e programit qeverisës, shkruan Kosova Post.
Në një fjalim disa minutësh të mbajtur në parlament, ai e ka cilësuar si të paaftë kabinetin qeveritar, duke thënë se atyre iu deshën 60 ditë për ta përpiluar programin.
“Të presësh 60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të kesh dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë – do t’i përfshijë në 60 faqe platformë” – ka thënë fillimisht Abdixhiku.
Ai është fokusuar tek çështjet konkrete, duke thënë se programi mjaftohet me formulime përgjithësuese, duke mos definuar qartë se në çka do të fokusohen investimet, si është planifikuar shpenzimi i parasë publike, etj.
“Dhe në këtë, një faqe për shëndet, as një fjalë për shumën e parave që do t’i jepni – si shumë nominale apo relative e GDP-së pa dallim. Asnjë fjalë për spitalet që do t’i ndërtoni, investimet në pajisjet e vjetruara që do t’i bëni, klinikat që do t’i funksionalizoni – e edhe më pak për premiumet e fondit shëndetësor aq të nevojshëm që do t’i implementoni. As datë, as numër, as masë. Për katër vjet plan e program, asnjë e dhënë.
Po aq e thatë, sikurse shëndetësia, mbetet edhe pjesa ekonomike e programit. Nuk besoj që në historinë ekonomike të ndonjë qeverie në rajon e Evropë pa dallim, të jetë në gjendje dikush të shkruajë kaq shumë fjalë pa asnjë parashikim, pa asnjë numër, pa asnjë vlerësim. Blanko.”
Debati është duke vijuar aktualisht, ndërsa opozita është duke e kritikuar programin e miratuar nga qeveria, duke e cilësuar atë si të pa përmbajtje./KosovaPost/