Qeveria e Kosovës njofton për miratimin e masave të emergjencës në furnizim me energji. Ky vendim është marrë me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë mbledhjes së 91-të, mbajtur në formë elektronike.
Siç thuhet në njoftim, qeveria ka marrë vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, e shtyer nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit.
“Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës. Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 (tridhjetë) ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë.
Me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme gjatë dimrit dhe të mbrojtjes së interesit publik, masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë:
Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit;
Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave;
Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe
Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.