Krerët e misioneve të vendeve më të industrializuara, QUINT, për të disatën herë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë. Por qeveria e Kosovës dhe komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas tyre tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, duke shprehur habinë “se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë”.
Gjashtë vjet pas nxjerrjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, QUINT ia rikujtoi qeverisë së Kosovës se është obligim zbatimi i vendimit.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratën e QUINT.
Në deklaratë më tej thuhet se “krerët e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës. Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”.
Thirrjes së QUINT-it ju bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe, përmes igumenit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, duke shprehur shqetësimin e saj për “shkeljen e të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës”.
“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit shpreh shqetësim të thellë për mosrespektim dhe shkeljen e të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe nga institucionet e Kosovës. Për vite kemi qenë dëshmitarë të pengimit të hapur të sundimit të ligjit si dhe deklaratave të shumta të papërgjegjshme dhe provokuese nga zyrtarët e Prishtinës”, thuhet në reagimin e Kishës Ortodokse Serbe.