Anton Quni është tërhequr nga gara për ta marrë udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ndërsa, të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së kanë kaluar me miratimin e delegatëve në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie.
Kandidaturat që kanë kaluar në Kuvend janë ato të Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut e Besian Mustafës.
Derisa është tërhequr nga gara për të marrë udhëheqjen e LDK’së, Quni nuk ka pranuar të tregojë se për kë do të votojë.
Ai ka thënë për T7 se kjo është arsyeja që kanë insistuar që vota të mbetet e fshehtë.
Quni ka thënë se gara e sotme do të jetë interesante, dhe se do t’i qëndrojnë prapa me mbështetje liderit të ri të partisë.
“Kushdo që zgjidhet lider ne do t’i qëndrojmë prapa për ta mbështetur. Të tre janë personalitete me kredibilitet të dëshmuar dhe do të jetë një garë interesante. Pres që LDK të jetë në hapë me kohën, me trendet e përgjithshme dhe kjo ta faktorizojë LDK’në”, ka shtuar ai.