Gjatë intervistës së djeshme me kryeministrin Edi Rama, gazetari Blendi Fevziu ka thënë se “në zonat informale të Tiranës” përflitet se po lobohet që kryeministri i Shqipërisë të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Një hulumtuese shqiptaro-gjermane bëri një postim se përflitet se Rama është një nga kandidatët e mundshëm për sekretar të NATO-së, për të treguar më vonë se kjo ishte vec një gënjeshtër e lëshuar prej saj.
Rama ka thënë mbrëmë në emisionin “Opinion” se emri i tij mund të jetë përfolur për Sekretar gjeneral i Aleancës Veriatlantike.
“Nuk ka rëndësi, mund edhe të jetë përfolur, por s’ka rëndësi kjo”, deklaroi ai.
Kryeministri, i pyetur nëse ai ose miqtë e tij po lobojnë për të, ka thënë, “Unë s’loboj as për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, as për Sekretar të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara”.
Rama thotë se s’kanë rëndësi këto tani që Sekretarit të tanishëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i është zgjatur mandatin deri në vitin 2023. Tutje, thotë se ai e ka kontratën me shqiptarët, si Kryeministër.
Çështja e kandidimit dhe zgjedhjes së Ramës në krye të NATO-s është lëshuar si deklaratë e rrejshme, por mediat ndërkombëtare për më shumë se një vit aludojnë se kush mund të jetë Sekretari i ardhshëm.
Jens Stoltenberg dhe Edi Rama, foto e publikuar nga NATO
Përflitet se Aleanca mund të udhëhiqet prej dikujt nga shtetet anëtare të saj, që janë të reja në NATO.
Për shembull, “Politico” në vitin 2021, duke u thirrur në zëra nga Brukseli dhe kryeqendrat e tjera, ka raportuar se pasuesi i Stoltenbergut mund të vijë nga Evropa Lindore, me të cilën do t’i çohej sinjal Rusisë. Përmendëshin disa prej grave lidere, si kandidatura të mundshme.