Komisioni Evropian të mërkurën, ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023.
Sipas këtij raporti, një pjesë e madhe e gjetjeve për punën e Kuvendit mbesin të njëjta me të vitit të kaluar.
Puna e Kuvendit të Kosovës sipas raportit është karakterizuar nga mungesa e kuorumit vendimmarrës dhe përpjekje të kufizuara për të krijuar konsensus ndërpartiak.
Te çështja e kuorumit, raporti vlerëson se pavarësisht se Qeveria ka shumicën në Kuvend, një numër i madh pikave të rendit të ditës dhe seancat parlamentare u zvarritën me muaj të tërë, duke shkaktuar vonesa në miratimin e reformave të lidhura me BE-në dhe në zvarritjen e emërimeve të organeve publike.
Tutje, raporti evidenton mungesën e masave financiare dhe të mungesës së paarsyeshme të deputetëve në seancat parlamentare.
Sipas raportit, tek mungesa e konsensusit ndërpartiak, është vërejtur tek politikat energjetike, në lidhje me rritjen e pagave në sektorin publik, grevat në sektorin e arsimit, strategjinë e sigurisë dhe politikat ekonomike.
Raporti rekomandon që deputetët së bashku me qeverinë duhet ta drejtojnë drejt diskutimeve thelbësore që çojnë në rezultate konsensuale dhe të qëndrueshme.
Për periudhë të gjatë kohore, Kuvendi nuk arriti të miratojë ligjet dhe të emërojë personat e propozuar në organet publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për më tepër sipas raportit, Kuvendi miratoi ligje të rëndësishme jetike duke përdorur procedura të përshpejtuara.
Në anën tjetër raporti i rekomandon Kuvendit që të forcojë funksionin e tij mbikëqyrës.
“Nga 104 ligje të miratuara, 21 janë miratuar me procedurë të shpejtë. Këtu përfshiheshin ligjet thelbësore si Ligji për buxhetin e vitit 2023, Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për pagat”, thuhet në faqen 9 të raportit.
Ndërsa, sa i përket funksionit mbikëqyrës raporti përmend pozitive përfshirjen e dispozitave të caktuara të cilat e kanë avancuar mbikëqyrjen parlamentare por që shqyrtimi i raporteve vjetore nuk është bërë me kohë. “Shumica e raporteve vjetore të vitit 2021 të institucioneve të pavarura u shqyrtuan në muajt e parë të sesionit të pranverës 2023 dhe shpesh pa debat thelbësor”, thuhet në raport.
Diskutimet mes shumicës parlamentare, Qeverisë dhe opozitës në Kuvend sipas raportit ishin të polarizuara dhe herë pas here të tensionuara. Kjo erdhi si pasojë e përdorimit të gjuhës nxitëse kundër kundërshtarëve politikë, duke përfshirë stereotipizimin dhe gjuhën gjinore jo të ndjeshme.
Raporti evidenton mungesën e Listës Serbe në punën e rregullt parlamentare.
“Bojkoti nga deputetët e Listës Serbe e bëri të pamundur miratimin e ligjeve në kategorinë e legjislacionit vital”, thuhet në raport.
Sa i përket transparencës, sipas raportit Kuvendi ka vazhduar të mos e ushtrojë në mënyrë të drejtë një gjë të tillë në mungesë të votimit elektronik të votimit të deputetëve.
Komisioni Evropian, i ka rekomanduar Kuvendit që të përmirësojë menaxhimin e brendshëm, të miratojë një plan vjetor pune dhe të prezantojë një sistem votimi elektronik dhe një sistem elektronik të regjistrimit të pranisë.
Raporti vlerëson pozitivisht konsensusin për miratimin e ligjit të ri për zgjedhje e përgjithshme si dhe në miratimin e shpejtë të tri marrëveshjeve të Procesit të Berlinit për lirinë e lëvizjes.
Si pozitive, në këtë raport është përmendur edhe që për herë të parë, kryesimi i komisioneve parlamentare udhëhiqet nga gratë.