Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend është stabile.
Pas raportimit në Komision të Petrit Ajetit, drejtorit të këtij institucioni, Musliu ka njoftuar se situata më e brishtë është në komunat veriore, ku Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë.
Më tej, ajo ka bërë të ditur se cak janë “Lagjja e Boshnjakëve”, “Kroi i Vitakut” dhe “Kodra e Minatorëve”.
Deputetja e PDK-së ka theksuar se në komisionin e sotëm janë njoftuar se Serbia përmes strukturave të saj po bën përpjekje për të rritur gatishmërinë te serbët lokal në raste tensioni.
Musliu para mediave ka theksuar se investimet nga Serbia paraqesin kërcënim në rritje, pasi që me këtë po investojnë në grupet kriminale serbe në Kosovë.
“Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë, por edhe të bëjë lëvizje të strukturave ndërkombëtarë që ndikojnë në Kosovë”. Deklaron Musliu, raporton kosovapress. Ajo ka ftuar institucionet që të jenë të vëmendshme dhe të përcjellin gjendjen në veri e ku cak janë janë pronat e shqiptarëve.