Dje në orën 13 e 23 në Kosova Post është publikuar artikulli me titull: 41 nxënës u regjistruan në profilin e mjekësisë në një shkollë në Rahovec pa lejen e MAShTI-t, ende nuk dihet se ç’fat do t’i pret. Për këtë ka reaguar Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit Avni Morina, i cili e ka hedhur poshtë pretendimin e inspektoratit.
Sipas një vendimi të inspektoratit, regjistrimi i këtyre nxënësve pa lejen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), përbënë shkelje të ligjit dhe shpërdorim të detyrës nga ana e autoriteteve komunale (për më shumë lexoje: https://kosovapost.net/41-nxenes-u-regjistruan-ne-profilin-e-mjekesise-ne-nje-shkolle-ne-rahovec-pa-lejen-e-mashti-t-ende-nuk-dihet-se-cfat-do-ti-pret-dokument/ ).
Megjithatë, drejtori Morina ka deklaruar se ky konstatim, nuk qëndron:
“Sa i përket çështjes në fjalë, Gjergj Gojani nga Inspektorati i Arsimit ka lëshuar një vendim skandaloz që është në shpërputhje të plotë me ligjin dhe kompetencat ligjore të tij si inspektor i arsimit. Vendimi i tij, përveç që ka gabime drejtshkrimore në përmbajtje (të cilat nuk i falen as edhe një nxënësi të shkollës fillore), ai është edhe i kundërligjshëm dhe në shpërputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.”
Më tutje, Morina ka sqaruar edhe çështjen e nxënësve të regjistruar në profilin e mjekësisë:
“Gjithashtu, ju njoftojmë se ne nuk kemi lejuar regjistrimin e nxënësve në profilin e mjekësisë, pa lejen e MASHTI-t. Regjistrimi i nxënësve në këtë profil është mundësuar nga MASHTI vetëm në afatin e dytë, dmth, në afatin e muajit gusht 2021. Pasi MASHTI na ka lejuar, ne në DKA e kemi hapur konkursin dhe kemi regjistruar nxënësit në këtë profil.”
Kosova Post e ka adresuar këtë çështje, që nga dita e premte, edhe në MASHTI, por nuk ka marr përgjigje për këtë çështje./KosovaPost/