Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të këtij viti, janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë, përcjell Kosova Post.
Murati ka shkruar në Facebook se me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit.
“Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit. Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën. Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje. Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse siç edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë. Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t’ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t’a quante investim kapital e zhvillim ekonomik. Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve”, ka shkruar ai.