Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar tha se pavarësisht thirrjeve të Turqisë për dialog, Greqia, duke u strehuar në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, përpiqet të mbulojë veprimet e saj agresive.
Akar, në fjalimin e tij në Programin Përkujtimor të Doktor Sadik Ahmetit, të zhvilluar në Kompleksin Presidencial, u ndal në luftën e turqve të Trakisë Perëndimore dhe tha: “Si Turqi, ne po përpiqemi të mbrojmë të drejtat e turqve të Trakisë Perëndimore në kuadër të të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave universale të njeriut dhe të qëndrojmë fuqishëm kundër politikave që mohojnë identitetin e tyre. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, askush nuk duhet të dyshojë për këtë.”
Akar deklaroi se Greqia po përpiqet të mbulojë veprimet e saj agresive duke u strehuar në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Pavarësisht të gjitha thirrjeve tona me qëllim të mirë për dialog, Greqia përpiqet të mbulojë veprimet e saj të paligjshme dhe agresive duke shtrembëruar të gjitha llojet e fakteve dhe duke u shtirur si një vend viktimë. Përpiqet të krijojë një aleancë brenda Unionit duke krijuar një perceptim artificial të kërcënimit dhe përpiqet t’i kthejë problemet me Turqinë në një problem Turqi-BE, Turqi-SHBA ose Turqi-NATO”, tha Akar.
Duke u ndalur në çështjen e ishujve, Akar tha se Greqia përfshiu të paktën 16 ishuj në stërvitje ushtarake të ndryshme në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare: “Ajo pretendon gjithashtu sovranitet mbi ishujt, ishujt e vegjël dhe shkëmbinjtë. Madje i nxjerr në shitje disa prej këtyre ishujve. Greqia vazhdon pretendimet e saj irracionale dhe të paligjshme në Mesdheun Lindor.”