Gjëja më e rëndësishme në gjithë këtë është që serbët të mos bien pre e provokimeve. Nëse ka të shtëna, Serbia nuk do të heshtë, tha për TV Pink Voislav Sheshel, udhëheqës i Partisë Radikale Serbe (SRS), ndërsa foli për situatën aktuale në Kosovë, transmeton Kosova Post.
Sheshel vuri në dukje se gjëja më e rëndësishme është që serbët të ruajnë unitetin e vendosmërinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
“Nëse dikush qëllon, policia serbe duhet të qëllojë. Le të mos luajnë me zjarrin. Ajo që Kosova po bënë tani, është në dëm të saj. Serbia ishte e përmbajtur herën e kaluar, por tani nuk do ta bëjë këtë” tha Sheshel.
Siç thotë ai, kjo tani nuk është Serbi e vitit 2000.
“Tani Serbia është shumë më e fortë, dhe nuk ia vlen të luash me të në këtë mënyrë. Tani po paralajmërojmë të gjithë botën se shqiptarët po bëjnë diçka që nuk lejohet. Amerikanët qëndrojnë prapa kësaj. Ky është vetëm një nga seritë e presioneve ndaj Serbisë. Fuqitë e mëdha janë vetëorganizuar për të bërë presion mbi Ballkanin”, thekson Sheshel./Sh.O./KosovaPost/