Rinia e Kosovës kërkon shpëtim në Evropë, a keni ndërgjegje o pushtetarë!

Rinia e Kosovës kërkon shpëtim në Evropë, a keni ndërgjegje o pushtetarë!

Shkruan: Fadil Pushkolli

Niveli i lartë i papunësisë në Kosovës dhe numri i madh i të rinjve të gatshëm për tregun e punës, ka bërë që ata të shikojnë çdo mundësi që u ofrohet për punësim jashtë vendit.

Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga këto pamje sot në Prizren, ku shihet interesimi i jashtëzakonshëm për të aplikuar për punësim në një kompani gjermane e cila ofron 2 mijë vende të lira pune.

Por, sa është shqetësuese kjo pamje për udhëheqësit e institucioneve, deputetëve të cilët kanë marrë besimin për mbrojtje të interesit të qytetarëve, nuk do koment, sepse kjo pamje flet qartë se askujt nuk i intereson se në çfarë mjerimi jeton popullata, e aq më pak pse të rinjtë duan të lëshojnë.

Nuk e di, nëse ka nevojë të çirremi, apo të vajtojmë më shumë për rinin që Kosova po e humb çdo ditë, kur kjo pamje flet aq qartë se rinia iku e sigurisht se nuk do kthehen më për të përjetuar diferencën e tyre me pushtetarët e pasuruar e me jetë lukse, e ata shihnin nga xhamat ushqime nga më të ndryshme e  të cilat nuk mund ta shijonin, sepse xhepat e tyre të rreckosur nuk mbanin euro, e mos flasim për gjërat e tjera të munguara gjatë rritës së tyre në liri.

Dhe tani kur kemi një gjendje të rëndë socio-ekonomike, ku varfëria është në një shkallë të lartë, papunësia mbi 45 për qind, duket sikur edhe kanë ndërruar emocionet prindërore e familjare e (kuptohet pa dëshirë), nga kohërat e shkuara kur me lotë dëshpërimi përcillnin të dashurit e tyre për kurbet, sepse iknin nga përndjekja e pushtetit serb, por tani kjo ikje e të rinjve, mbase në një farë forme të themi kushtimisht i  gëzon, familjet e Kosovës, sepse fëmijët e tyre po ikin nga vendlindja për të siguruar një punë e me këtë edhe një jetë më të dinjitetshme e cila po u mungon në vendin e tyre të lirë.

A thua kënd duhet ta vrasë ndërgjegjja për një gjendje të tillë, kur të rinjtë zgjedhin forma nga më të ndryshme për tu larguar nga Kosova për një vend pune dhe një jetë meritore. Mendoj se  ndërgjegjja do të duhej ti vrasë ata që dikur kërkuan votën e qytetarëve në shkëmbim të krijimit të vendeve të punës, hapjen e Kosovës me shtetet evropiane e ku ta di se sa e sa premtime të tjera kanë bërë. Por, jo, shihet  me kthjelltësi se nuk i vret ndërgjegjja ata që në pushtet janë me votën e qytetarëve me premtime boshe. Nuk e kanë hallin e qytetarëve ata, tani kur marrin paga të majme, mëditje e udhëtojnë në luks me paratë qytetarëve taksapagues.

Sikur të vriste dikë ndërgjegjja, nuk do të çirreshin nëpër foltore, pushtetarët tanë se e duan Kosovën dhe popullin e saj, e të njëjtin mbyllin sytë para të keqes që po i ndodhë vendit,ikjes së të rinjve nga vendi i tyre aq i dashur , në të njëjtën kohë i #hidhur” kur nuk mund të sigurojnë as mbijetesën.

Pra sikur  shteti, udhëheqësit e institucioneve, të zgjedhurit e popullit të mendonin më tepër për qytetarët e saj,  e më pak për pasurimin e vetvetes, sigurisht se kjo pamje para kompanisë që ka hapur konkursin për vende të lira pune në Gjermani, nuk do të kishte gjetur hapësirë, pa përmendur këtu edhe format e tjera të ikjes nga Kosova për në vendet e treta.