Ashtu siç u paralajmërua në mëngjes, ceremonia e rivarrosjes së eshtrave që u sollën nga Kizhevaku i Serbisë, filloi në orën 14:00, transmeton Kosova Post.
Nën një mot me shi, dhjetëra arkivole të mbushura me eshtra të vrarësh padrejtësisht, nga forcat militare dhe paramilitare serbe, u rikthyen në atdheun e tyre, për të qenë më afër familjarëve që do t’i kujtojnë me dhimbje e mall përherë.
Në këtë ceremoni të rivarrimit përveç familjarëve kanë marrë pjesë edhe krerët shtetërorë dhe komunal, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Skenderaj, Bekim Jashari dhe Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari ndër të tjera tha se:
“Këta u vranë në njërën nga masakrat më të pamëshirshmet nga policia dhe ushtria serbe. Për të qenë dëshmitar disa ditë më vonë bënë krimin e dytë, lanë familjarët në ankth tash e disa vite.”
Edhe Presidentja Vjosa Osmani dhe personalitete të politikës në Kosovë, kanë vijuar t’ia kujtojnë opinionit ndërkombëtar se Serbia po vijon ta fsheh të kaluarën e saj, e cila e bënë përgjegjëse për gjenocidin e shkaktuar ndaj shqiptarëve./KosovaPost/