Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e sotme të mbledhur për të diskutuar në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka thënë se keqinformimi, siç e quan ajo, i qëllimshëm apo i paqëllimshëm ka mbjellë frikë e panik te qytetarët. Andaj tha se këtë frikë kanë dashur ta evitojnë përmes subvencionimit.
“Keqinformimet kanë mbjellë frikë e panik te qytetarët, këtë panik kemi dashur ta evitojmë përmes subvencionimit të hershëm sepse qytetarët nuk kanë mnevojë më shumë dramë e brenga”, ka thënë Rizvanolli.
Rizvanolli tha se që nga viti 2017 kur është hequr blloktarifa qytetarët konsumojnë më shumë energji dhe sipas saj në dhjetorin e këtij viti, është arritur niveli më i lartë i konsumit prej 1.4 gigavat për orë, sipas saj shteti i Kosovës nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energji dhe sidomos dimrit vendi varet nga importi. Por kjo krizë, sipas saj, nuk e ka kapluar vetëm Kosovën por gjithë Evropën.
“Kemi dy opsione, reduktim të rrymës apo shtrenjtim të tarifave dhe besoj se të gjithë pajtohemi që reduktimet janë opsioni më i keq për qytetarët”, ka shtuar ajo.
Ajo tha se konsumi me 600 kilovat mbetet siç ka qenë, 6.7 centë ditën dhe 2.9 centë natën, e konsumi i mbi 600 kilovatëve është 14 centë ditën, e 6 natën.
“Blloktarifat janë ashtu se nëse e kalon pragun nuk do të thotë se konsumi juaj faturohet me tarifë të lartë, vetëm kur konsumohet më shumë se 600 kilovat”, vazhdoi ajo.
Ajo tha se kjo qeveri e ka vullnetin dhe mundësinë për të përmirësuar gabimet e njëpasnjëshme dhe për të filluar nga e para, ndërkohë që vendi përballet me këtë krizë.