Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bordi dhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it si dhe bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes “Kosova Thëngjilli” sot kanë raportuar para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e KOSTT dhe “Kosova Thëngjilli”, shkruan Kosova Post.
Ministrja Rizvanolli, lidhur me kërkesën e Bordit të “Kosova Thëngjillit” për lirimin e taksës nga ana e KEK-ut ka thënë se nuk mund të bëjë asgjë jashtë interpretimit të zyrës ligjore.
Rizvanolli tutje tregoi se këtë çështje e kanë trajtuar me KEK-un, duke shtuar se ndërhyrja në kontrata do të ishte e kundërligjshme.
“Ndërhyrja në kontrata do të ishte e kundërligjshme. Ne jemi të interesuar që përmes njësisë përmes Bordeve të kontaktojmë me ndërmarrjet. Ne jemi në një situatë ku e kemi interpretimin e zyrës ligjore, që lirohen nga pagesa për këtë periudhë, dhe e ndava me ju mendimin e zyrës ligjore dhe ne presim qartësi nga ju që të dalin rekomandime nga komisioni që përmes Bordit të komunikojmë me KEK-un. Ne nuk do të marrim vendime kundër opinionit të ekspertëve ligjor brenda ministrisë”, tha Rizvanolli.