Ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli, teksa ka folur lidhur me propozimin e Zyrës së Rregullatorit Energjetik (ZRrE) për shtrenjtimin e rrymës, ajo ka thënë se ai nuk është final, transmeton Kosova Post.
Këto konstatime ministrja i shpalosi gjatë një konfernce të përbashkët për media me shefin e qeverisë, kryeminsitrin Albin Kurti.
Më tutije, Rizvanolli është zotuar se do të kërkojnë sqarime shtesë dhe do të japin propozime aty ku mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.
“Propozimi i ZRrE-së nuk është final. Ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin. Do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim edhe propozime për ato ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se ta shohim këtë raport”, ka thënë ajo.
Ministrja ka përsëritur njoftimin se kostot e importit të energjisë elektrike janë rritur shumë, ndërsa ka theksuar se subvencionimi nga qeveria është i pashmangshëm.
Rizvanolli ka thënë se ndihma e qeverisë do ta zbusë shtrenjtimin e rrymës, ndërsa ka theksuar se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në vendimet e ZRrE-së.
“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi në vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme. Mirëpo ne zotohemi se çfarëdo vendimi që ZRrE-ja do ta marrë, ne do të përkushtohemi të ndihmojmë përmes instrumenteve që i kemi në dispozicion për të siguruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve – në radhë të parë atyre që e shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës – si dhe në mbrojtje të vendeve të punës”, ka thënë ajo.