Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, është pritur në takim nga ministrja gjermane e shtetit për Evropë dhe Klimë, Anna Lührmann.
Gjatë takimit, ministrja Rizvanolli i ka prezantuar ministres gjermane Lührmann “Pakon investive të Kosovës për energji 2023 – 2025”, e cila parasheh ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese e akumuluese prej 950 megavatë përmes skemave konkurruese. Tutje, dy ministret kanë diskutuar mbi hapat e ardhshëm për Partneritetin Klimatik mes Gjermanisë dhe Kosovës.
“Ministrja Lührmann ka përgëzuar ministren Rizvanolli për punën e bërë në Pakon Investive, e cila ofron mundësi tërheqëse investimi për kompanitë gjermane të sektorit të energjisë, duke filluar me ankandin e parë solar 100 megavatësh të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e ME-së.
Sipas komunikatës, ministrja Rizvanolli ka njoftuar që këto projekte konkrete mbështeten edhe nga puna e bërë në legjislacion, siç është rasti me Ligjin e Parë për Burime të Ripërtërishme të Energjisë, i cili është miratuar në Qeveri, e përmirëson edhe më tej ambientin për investime në Kosovë.