Pas një vere jo të mirë kur humbi një pjesë të përgatitjeve me skuadrën, duke e arsyetuar mungesën me çështje personale, Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Manchester United në afatin kalimtar të dimrit.
Sulmuesi portugez donte një klub që do të ishte konkurrues në titullin në Premier Legaue dhe në Champions League, gjë që United nuk është për momentin.
Gjiganti nga “Old Trafford”, pas tetë xhirove në kampionatin anglez, me një ndeshje më pak të luajtur, tashmë është nëntë pikë prapa liderit Arsenal.
Në xhiron e fundit “Djajtë e Kuq” humbën derbin e qytetit ndaj Manchester Cityt, me shifrat 3:6. Ronaldo e ndjeku atë ndeshje nga bankina dhe ende është në pritje të golit të parë të sezonit në Premier League.
Ende i etur për të luftuar për tituj dhe i frustruar me kohën e paktë në fushë që ka në United, Ronaldo nuk ka hequr dorë nga ideja për t’u larguar nga “Old Trafford”.
Në afatin e verës, agjenti i tij ofroi shërbimet e tij për disa klube, por askush nuk shfaqi interesim të madh, kryesisht për shkak të pagës së portugezit.
Por, duket se do të ketë një tentativë të re në afatin kalimtar të dimrit.
‘Daily Telegraph’ pretendon se klubi do të jetë gati për negociata të reja në janar dhe do të përpiqet të përfitojë nga kontrata e Ronaldos së pakënaqur, që skadon në fund të sezonit. Gjithashtu theksohet se nëse Ronaldo e dëshiron atë transferim, do të duhet të pranojë një ulje drastike të pagës në klubin e ri./rtk