Sipas rregullave të reja, platformave të mediave sociale, përfshirë Twitter, Facebook dhe YouTube, u kërkohet të themelojnë zyra në Pakistan dhe brenda tre muajve të regjistrohen në Autoritetin e Telekomunikacionit të Pakistanit (PTA), transmeton Kosova Post.
Pakistani ka shpallur disa rregulla të ndryshuara për të rregulluar platformat e mediave sociale dhe për t’i shtrënguar ato të hapin zyrat e tyre në vend, shkruan AA.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Telekomunikacionit, rregullat e reja vlejnë për të licencuarit që ofrojnë shërbime të mediave sociale ose rrjeteve sociale në Pakistan.
Rregulli i titulluar “Rregullat e heqjes dhe bllokimit të përmbajtjes së paligjshme në internet 2021” është krijuar sipas Aktit të Pakistanit të vitit 2016 për parandalimin e krimeve elektronike.
Sipas rregullave të reja, platformave të mediave sociale, përfshirë Twitter, Facebook dhe YouTube, u kërkohet të themelojnë zyra në Pakistan dhe brenda tre muajve të regjistrohen në Autoritetin e Telekomunikacionit të Pakistanit (PTA).
Mediat sociale po ashtu nuk do të lejohen të publikojnë ose të transmetojnë drejtpërdrejtë ndonjë postim ose ngjarje kundër, siç thotë ministria pakistaneze, sigurisë kombëtare të vendit, madhështisë së Islamit, si dhe rendit publik, integritetit ose mbrojtjes së Pakistanit.
Kompanitë e mediave sociale po ashtu brenda 48 orëve duhet të heqin ose të bllokojnë çdo përmbajtje në internet kundër këtyre rregullave duke ndjekur direktivat e PTA-së ose mund të përballen me gjobë prej 500 milionë rupi pakistanezë (rreth 2,9 milionë dollarë).
Në një deklaratë me shkrim, ministri i Teknologjisë së Informacionit dhe Telekomunikacionit, Aminul Haque, tha se sipas rregullave mediat sociale do të duhet të respektojnë ligjet e vendit dhe të drejtat e përdoruesve të mediave sociale.
“Sipas rregullave të ndryshuara, konsumatorët pakistanezë do të kenë liri të plotë të të shprehurit sipas Nenit 19 dhe këto rregulla do të luajnë një rol të rëndësishëm në lidhjen midis përdoruesve pakistanezë dhe organizatave të mediave sociale”, tha Haque.
Ai theksoi se transmetimi i drejtpërdrejtë i ekstremizmit, terrorizmit, gjuhës së urrejtjes, pornografisë dhe përmbajtjeve të dhunshme do të jetë i ndaluar. Ai shtoi se organizatat e mediave sociale duhet të heqin çdo përmbajtje kundër dinjitetit dhe sigurisë së Pakistanit.
Sipas njoftimit të ministrisë, trendet e mediave sociale ose përmbajtjet kundër kulturës së vendit apo të ndonjë personi po ashtu nuk do të lejohen në platforma.