Sindikata Ushtarake e Serbisë paralajmëroi se “për shkak të kushteve të këqija”, “afër 10,000 profesionistë të trajnuar” u larguan nga Ushtria Serbe në pesë vitet e kaluara dhe se gjendja e funksionimit të ushtrisë, kur bëhet fjalë për burimet njerëzore, është “larg asaj që tregohet për shtetin nga zyrtarët ushtarakë”.
Në një deklaratë pas takimit të së enjtes të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç me Ministrin e Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq dhe shefin e Shtabit Milan Mojsiloviq, Sindikata Ushtarake e Serbisë tha se ata mirëpresin çdo modernizim dhe pajisje për ushtrinë, por shtoi se ata do të ishin “më të lumtur” nëse Vuçiq do të deklarontë se investimi në burimet njerëzore të Ushtrisë së Serbisë do të jetë një prioritet në periudhën e ardhshme.
“Vite më parë, ne apeluam për nevojën e ndryshimit të qëndrimit të shtetit si punëdhënës ndaj anëtarëve profesionistë të Ushtrisë Serbe, por në vend që të diskutojmë për përmirësimin e situatës me përfaqësuesit e ushtarëve serbë, ata ngacmohen dhe etiketohen si armiq të shtetit, që është absurd “, thuhej në deklaratë, shkruan “Beta”.
Konsiderohet se “burimi njerëzor” i Ushtrisë së Serbisë në vitet e mëparshme është “shkatërruar dhe demoralizuar plotësisht” dhe se sot është “në një gjendje të tillë që rrezikon seriozisht operativitetin e Ushtrisë Serbe dhe rolin e saj themelor kushtetues”.
“Duhet të jetë e qartë për publikun serb dhe veçanërisht për udhëheqjen e shtetit, se aeroplanët, tanket dhe të gjitha pajisjet e tjera të luftës nuk janë të dobishme pa njerëz”, thuhet në deklaratën e Sindikatës sw Serbisw, duke i kërkuar presidentit serb që t’i përgjigjet thirrjes së tyre për bisedime, në mënyre që të dëgjojë se cilat janë nevojat e tyre prioritare nga ata që përbëjnë ushtrinë”.
Të enjten, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq vlerësoi se në rajon “të gjithë po armatosen në mënyrë dramatike”, prandaj shteti, siç njoftoi ai, do të sigurojë mjete shtesë optoelektronike për Ushtrinë Serbe, veçanërisht për kushtet e luftimit të natës, si dhe mjetet moderne për nevoja të luftës e mbrojtjes ajrore dhe për njësitin e këmbësorisë.