Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve ka nënshkruar vendimin për mbështetje për fëmijët në strehim familjar.
Haxhiu theksoi se mbeten të përkushtuar që edhe më tutje të ngrisin dhe fuqizojnë konceptin e strehimit familjarë si një ndër format më të mira të mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror.
“Familja strehuese është ambienti i cili tek fëmija krijon ngrohtësinë familjare, gjë e cila është shumë e rëndësishme për rritjen e fëmijës, formimin e tij/saj psikologjik dhe ndjenjën emocionale të fëmijës prandaj edhe mbështetja jonë institucionale do jetë e vazhdueshme”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Ndryshe me rastin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve sot është mbledhur Komiteti Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.
Në këtë takim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa ka uruar Ditën e Fëmijëve, ritheksoi përkushtimin e qeverisë për të rritur mirëqenien e fëmijëve.